Qarkullimi i automjeteve në vend është shtuar në qershor. Nga ana tjetër edhe rënia e çmimeve të naftës ka nxitur qarkullimin. Por, kjo situatë ka bërë që të rritet numri i aksidenteve.
Sipas INSTAT, në muajin Qershor 2023 numërohen 101 aksidente rrugore nga 98 të ndodhura në muajin Qershor 2022.
Numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) rezulton 132 persona.
Të rinjtë vijojnë të jenë shkaktarët më të mëdhenj të aksidenteve.
Sipas INSTAT, aksidentet rrugore, në 82,2% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.
Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 30,7% të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë rritur me 14,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në muajin Qershor 2023, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur ditën e Premte me 18,8%, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur ditën e Mërkurë me 8,9%.
Në muajin Qershor 2023, 20.8% e aksidenteve rrugore kanë ndodhur gjatë harkut kohor 08:00-12:00.
Në 6-mujorin e parë të vitit 2023, numërohen 528 aksidente rrugore. Ndërsa numri i të aksidentuarve është 722 persona.
Aksidentet rrugore, në 15,2% të rasteve, në 6-mujorin e parë të vitit 2023 kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit për periudhën gjashtëmujore është rritur me 9,6%.
Sa i përket viktimave, në 6 mujorin e parë kanë humbur jetën 90 persona. Ndërsa të plagosur kanë mbetur 632.