5.5 C
Tirana
Thursday, November 21, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetRimodelimi i Pensioneve Private/ Si ndikon ligji i ri në të ardhurat...

Rimodelimi i Pensioneve Private/ Si ndikon ligji i ri në të ardhurat tuaja

Në një kohë kur pyetjet mbi të ardhmen financiare mbizotërojnë te shumë prej jush, një zhvillim i ri ligjor vjen si një frymë e freskët.

Ligji i deritanishëm për fondet e pensionit privat, i miratuar që në vitin 2009, ka mbetur pas në përgjigjen e nevojave të një tregu që ndryshon vazhdimisht. Por, një nxitje e re ka ardhur më datë 6 nëntor 2023, me një ligj të ri Nr.76, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 21 shtator të po këtij viti.

Ky ligj vjen i projektuar për të adresuar pikërisht sfidat e hasura deri më sot. Nuk është thjesht një përditësim i rregullave; ligji i ri është një ndryshim i thellë që synon të inkurajojë si individët ashtu edhe punëdhënësit skeptikë që t’i shohin fondet e pensionit privat si alternativën më të favorshme për të siguruar një pension shtesë krahas atij publik ndërkohë që, krahasuar me ligjin e mëparshëm, mundëson një përafrim dhe harmonizim të mëtejshëm të legjislacionit me direktivat evropiane.

Mund të thuhet pa frikë se kërkesat e vazhdueshme për rishikim dhe përmirësim të kuadrit ligjor, lëshuar prej vitesh nga shoqëritë administruese dhe vetë anëtarët e fondit, kanë gjetur reflektim në ligjin e sapohyrë në fuqi.

Ligji i ri, sipas ekspertëve, ofron benefite monetare si rrjedhojë e lehtësive fiskale të aplikuara, e rritjes së standardit të shërbimit, administrimit të fondit nga ana e shoqërive administruese, dhe rritjes së garancive që ofron fondi.

Por, për çfarë bëhet fjalë konkretisht?

1. Më shumë se 2-fishim i kontributeve të zbritshme të lejuara

Është rritur kufiri maksimal vjetor i zbritshëm për efekt tatimi mbi të ardhurat personale, nga një vlerë fikse e pandryshuar prej vitit 2009 prej 200,000-250,000 Lekë në varësi të moshës (respektivisht nën 50 vjeç-mbi 50 vjeç), në pagën minimale vjetore prej 480,000 Lekë. I njëjti limit – paga minimale vjetore për çdo punonjës (480,000 Lekë) –  vlen edhe për punëdhënësit që kontribuojnë për pensionin privat të punonjësve të tyre, i cili njihet si shpenzim i zbritshëm për efekt të tatimit të fitimit. Ju mund të kurseni tani më shumë për pension dhe njëkohësisht mund të paguani më pak tatim mbi të ardhurat për kontributin tuaj.

2. Përfitim fiskal monetar i drejtpërdrejtë dhe disiplinim i tërheqjes së pensionit në mënyrë periodike

Nëse ju zgjidhni të dilni në pension, edhe 5 vite para moshës së përcaktuar, nuk do t’ju tatohet e gjithë vlera e përftuar (si në ligjin e vjetër), por vetëm e ardhura nga interesi i investimit. Kushti i vetëm për këtë është që ju të bëni tërheqje në baza mujore për të paktën një periudhë 2-vjeçare, jo tërheqje të menjëhershme të të gjithë vlerës së investimit.

3. Risia e një fondi të mbyllur pensioni dhe personalizimi i planit të pensionit për punonjësit

Je punëdhënës ose bën pjesë në një grupim punëdhënësish si sindikatë apo shoqatë? Tashmë iu ofrohet mundësia jo vetëm e të krijuarit fond pensioni me pjesëmarrje të hapur (si në ligjin e vjetër), por edhe ajo e të krijuarit një fond pensioni të mbyllur. Me pjesëmarrje të punonjësve apo anëtarëve të sipërmarrjes tuaj, sikurse me kushte dhe elementë të përcaktuara nga vetë ju, siç janë tarifa e administrimit, politika e investimit, vesting period, etj.

4. Transparencë dhe informacion i detajuar për anëtarët e fondit

Ju do të informoheni për kontributet tuaja në formë transparente nga shoqëritë administruese. Konkretisht, do të pajiseni një here në vit me vërtetimin mbi gjendjen e llogarisë personale; do të keni akses në llogarinë personale për të kontrolluar në çdo kohë të gjitha lëvizjet e mundshme financiare, si dhe do t’ju vendoset në dispozicion prospekti i fondit, raporte të ndërmjetme dhe vjetore, si dhe pasqyra financiare të audituara.

5. Mundësi më të shumta për investim

Ligji i ri ofron një gamë të zgjeruar instrumentash financiare, që ju të investoni asetet e fondit të pensionit, të diversifikoni portofolin dhe të siguroni një normë kthimi të përshtatshme. Instrumentat e parashikuar financiarë janë aksionet dhe kuotat e sipërmarrjeve të liçensuara kolektive në Shqipëri, si dhe titujt e borxhit të emetuara nga bankat që nuk janë të pranuara për tregtim në një treg të rregulluar.

6. Favorizim të punëdhënësve në skemën e tyre të pensionit për punonjësit

Ndryshe nga ligji i vjetër ku punonjësit i duhej t’i qëndronte besnik punëdhënësit të tij për të paktën dy vite që të përfitonte kontributet e paguara prej tij, me ligjin e ri, punonjësit i duhen tashmë 5 vite. Nëse ju që po e lexoni këtë artikull jeni punëdhënës, kjo pikë ju favorizon në skemën tuaj të pensionit.

7. Tarifa më të ulëta të administrimit dhe afate më të shkurtra të pagesës së përfitimit

Është vendosur një maksimum më i ulët i tarifës së administrimit, krahasuar me ligjin e mëparshëm, nga 3% në vit mbi vlerën neto të aseteve në 2.5%Gjithashtu, janë shkurtuar afatet e pagesës së përfitimit të pensionit, nga 30 ditë në 15 ditë.

8. Mundësi e mirë për marketim ndërkufitar kur Shqipëria të bëhet vend anëtar i BE

Duke rregulluar veprimtarinë promocionale, ligji i ri do të mundësojë gjithashtu një promovim më të gjerë të fondeve të pensionit përmes agjentëve.

Sikundër mund të kuptohet nga pikat e shtjelluara më sipër, ligji i ri për fondet e pensionit privat ofron më qëndrueshmëri dhe siguri për të gjithë ju që dëshironi të planifikoni pensionin tuaj, apo që e keni nisur tashmë si nismë.

Ndërsa ekspertët ofrojnë një udhërrëfim të detajuar, me përkushtim dhe integritet, është thelbësore që ju, si individ, si punëdhënës, të merrni vendime të mençura për të ardhmen tuaj financiare.

LEXO EDHE: VIDEO/ “Si ta shtysh jetën me pensionin që të jep shteti?!”. Erion Kristo ka një mesazh për të gjithë

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat