Revista franceze “A Vous Poitiers” fton lexuesit të saj të vizitojnë Shqipërinë, një destinacion që sipas saj po bëhet gjithnjë e më popullor për të apasionuarit pas udhëtimeve që kërkojnë peizazhe që të lënë pa frymë.
Media transalpine rekomandon disa vende që nuk duhen lënë pa vizituar.
Udhëtimi mund të fillojë duke eksploruar Tiranën, e cila ofron një përzierje magjepsëse të historisë, kulturës dhe modernitetit.
Qendra e qytetit është shtëpia e vendeve ikonike si sheshi Skënderbej, ku qëndron statuja e heroit kombëtar dhe Muzeu Historik Kombëtar. Për ata që duan jetën e natës Tirana është vendi perfekt për shkak se kryeqyteti shqiptar ka shumë klube dhe bare të cilat shpalosin shpirtin e rinisë shqiptare.
Pas Tiranës rekomandohet qyteti i Beratit i cili është i famshëm për arkitekturën e tij unike. Në rrugët me kalldrëm të qytetit të ‘Një e mbi një dritareve’ do të zbuloni punishte artizanale, muze dhe kafene.
Në Berat gjendet Lugina e Osumit fsheh kanionin spektakolar të formuar nga lumi Osum, një vend ideal për aktivitete aventureske si rafting.
Revista ndër të tjera rekomandon të vizitohet edhe qyteti i gurtë i Gjirokastrës. Qyteti është ideal për udhëtarët që kërkojnë të përjetojnë traditat kulturore me rrënjë të thella të Shqipërisë.
Butrinti është një vend tjetër i pasur me histori. Duke zënë një pozicion strategjik pranë kufirit grek, Parku i Butrintit u ofron vizitorëve mundësinë për të udhëtuar në kohë, nga epoka helenistike dhe romake në epokën bizantine dhe veneciane. I konsideruar si një “mikrokozmos i historisë mesdhetare”, Butrinti është një vend që duhet eksploruar nga çdo adhurues i historisë dhe arkeologjisë gjatë udhëtimit në Shqipëri.
Ndër të tjera revista franceze rekomandon të vizitohen Alpet Shqiptare të cilat ofrojnë peizazhet më të bukura me malet e larta, liqenet akullnajore dhe luginat e thella.
Në fund rekomandon Rivierën shqiptare e cila shpesh krahasohet me fqinjin e saj grek për plazhet e mrekullueshme dhe ujin e pastër kristal, por me avantazhin e të qenit më pak e populluar me turistët.