17.5 C
Tirana
Thursday, March 12, 2026
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetPonari në “Opinion”: Valbona më pranë se Saranda, “Valbona Resort” 5 yje...

Ponari në “Opinion”: Valbona më pranë se Saranda, “Valbona Resort” 5 yje ndërkombëtare

Mbrëmjen e 11 marsit 2026, emisioni “Opinion”, i drejtuar nga gazetari Blendi Fevziu, iu kushtua një prej temave më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit në vend: potencialit të zonave alpine dhe destinacioneve turistike që mund të vizitohen gjatë 12 muajve të vitit.

Paneli solli një panoramë të gjerë të strukturave turistike në zonat malore të Shqipërisë, duke ndërthurur përvojat e sipërmarrësve dhe operatorëve që kanë investuar në këto destinacione.

Nga resortet moderne deri tek bujtinat familjare dhe restorantet tradicionale, u përfaqësuan jo vetëm me historitë e tyre të suksesit, por edhe me sfidat dhe reflektimet që shoqërojnë zhvillimin e turizmit malor, nga perspektiva e sipërmarrësve të pranishëm në studio.

Në këtë panel ishte i ftuar edhe z. Avni Ponari, CEO i SIGAL Insurance Group, njëherësh edhe administrator i “Valbona Resort and Spa”, structure hoteliere me 5 yje në Luginë të Valbonës.

               Potencialet e Shqipërisë Malore

Në hapje të emisionit, z. Blendi Fevziu theksoi se Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm për turizëm dimëror, por edhe 12-mujor, në turizëm alpin.

Ai vuri në dukje se destinacione të tilla gjenden jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa në çdo cep të rajonit janë ngritur struktura turistike që ofrojnë eksperienca unike për vizitorët.

Sipas tij, Shqipëria malore është po aq spektakolare sa bregdeti shqiptar, në mos edhe më mahnitëse, duke bërë thirrje për më shumë vëmendje nga turistët dhe për investime më të mëdha nga shteti në këto zona.

Avni Ponari ndan historinë e Valbonës dhe reflektimet e tij për zhvillimin e turizmit

Z. Ponari ndau në panel me publikun historikun dhe zhvillimin e këtij investimi turistik në zemër të Alpeve shqiptare.

Ponari shpjegoi se resorti është një strukturë me pesë yje, e përfunduar rreth dy vite më parë dhe e ndërtuar mbi bazën e një strukture shumë më të vogël të periudhës së komunizmit.

“Ka qenë një strukturë e vogël turistike e kohës së komunizmit, sepse edhe rrugë nuk kishte në atë kohë. Sot është një strukturë e gjitha e re, me 90 dhoma dhe e projektuar nga arkitekt shqiptar, me të gjitha shërbimet që ka një hotel me pesë yje, si pishinë, sauna, palestër dhe sallë konferencash”, tregoi ai.

Duke përshkruar vendndodhjen dhe karakteristikat e zonës, Ponari theksoi se Lugina e Valbonës ndodhet mbi 1000 metra mbi nivelin e detit dhe përbën një nga destinacionet më të preferuara për turizmin e natyrës dhe ecjet alpine.

“Valbona është një zonë shumë interesante për shumë arsye dhe një nga destinacionet më të pëlqyera për hiking”, tha ai, duke shtuar se aktivitetet në këto zona lidhen kryesisht me eksplorimin e natyrës dhe lëvizjen në terren.

Në diskutim u theksua se një nga itineraret më të njohura për turistët është shtegu Theth-Valbonë, një rrugë që lidh dy nga destinacionet më të bukura alpine në vend.

Sipas Ponarit, gjatë një ecjeje në këtë shteg ai kishte takuar qindra turistë nga e gjithë bota.

Në një ditë takova rreth 600 persona nga katër anët e botës. Është një kalim shumë i bukur dhe jo i vështirë; për rreth katër apo katër orë e gjysmë mund të mbërrish në Theth, që është një mrekulli”, tha ai.

Megjithatë, sipërmarrësi theksoi se zhvillimi i turizmit malor në Shqipëri përballet me disa pengesa serioze, kryesisht të lidhura me infrastrukturën dhe aksesin. Ai nënvizoi se udhëtimi drejt Tropojës mbetet i vështirë dhe shpesh kërkon kalimin e dy kufijve përmes Kosovës.

“Akoma nuk është rentable, sepse të shkosh në Tropojë është shumë e vështirë. Rrugët janë të lodhshme dhe alternativat janë të pakta”, tha Ponari.

Një tjetër çështje e ngritur prej tij ishte edhe mungesa e infrastrukturës për sportet dimërore. Z. Ponari theksoi se Shqipëria ende nuk ka një resort të mirëfilltë skish, ndërsa aktivitetet si heli-skiing në Valbonë janë të kufizuara kryesisht për profesionistët. Sipas tij, zhvillimi i turizmit dimëror kërkon investime të mëdha publike në teleferikë, pista skish dhe infrastrukturë të specializuar.

Ponari ngriti gjithashtu shqetësimin për promovimin e pamjaftueshëm të turizmit malor. “Ne për dimër kemi mbetur te Korça dhe për verë te Dhërmiu”, u shpreh ai me ironi, duke shtuar se shumë njerëz ende e konsiderojnë Valbonën një destinacion të largët, edhe pse distanca nga Tirana është e krahasueshme me atë drejt jugut të vendit.

Në fund të diskutimit, ai theksoi se turizmi malor mund të sjellë përfitime të mëdha ekonomike për zonat alpine, duke krijuar punësim dhe zhvillim lokal. Sipas tij, përveç promovimit, është e nevojshme edhe mbështetje konkrete për bizneset që operojnë në këto zona, përfshirë politika më të favorshme energjetike dhe investime në infrastrukturë.

“Sipas një studimi vetjak, të gjitha vendet perëndimore, me përjashtim të Shqipërisë dhe Kosovës, e kanë energjinë elektrike për strukturat hoteliere alpine më të lirë se sa ajo e konsumatorëve”, apeloi z. Ponari.

Emisioni solli në vëmendje potencialin e jashtëzakonshëm të maleve shqiptare dhe nevojën për një strategji më të qartë zhvillimi, ku bashkëpunimi mes sipërmarrjes private dhe institucioneve shtetërore

Emisionin e plotë “Opinion” të datës 11 mars 2026 mund ta ndiqni si më poshtë:

 

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat