8.5 C
Tirana
Thursday, November 21, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetPërse duhet Sigurimi i Pronës dhe si veprohet në rast dëmi

Përse duhet Sigurimi i Pronës dhe si veprohet në rast dëmi

Çdo njeri gjatë gjithë  jetës së tij, me vetëdije apo pavetëdije, ekspozohet  ndaj rreziqeve të ndryshme të cilat mund të sjellin pasoja negative në pasuritë e paluajtshme që zotëron dhe jo vetëm.

Riparimi i këtyre pasojave ka veç të tjerash edhe një kosto financiare, ndaj duhet ti kushtojmë vëmendjen e duhur instrumenteve të mbrojtjes ndaj dëmeve që mund të vijnë si pasojë e rreziqeve të ndryshme.

Një prej metodave më efikase për realizimin e kompensimit financiar në raste dëmesh është sigurimi vullnetar i pronës.

Sigurimi i pronës jo vetëm mbron pronën tuaj nga dëmtimi ose vjedhja, por  në shumicën e rastëve lehtëson punën tuaj.

Përmes skemës së sigurimit të pronës, individët ose entitetet kanë mundësinë të marrin një dëmshpërblim financiar në rastet kur vërtetohet se prona e tyre ka pësuar dëme si rezultat i një force madhore e cila ka ndodhur jashtë  kontrollit të pronarit.

E thënë me fjalë të thjeshta ju pranoni të paguani një tarifë të caktuar në një kompani sigurimi, në këmbim të një  premtimi nga shoqëria se ajo do t’ju kompensojë financiarisht në rastin e një dëmi potencial ndaj pronës tuaj.

Sigurimi është një formë e transferimit të riskut nga klienti tek shoqëria e sigurimit. Në këtë mënyrë, sigurimet reduktojnë barrën financiare të familjes apo biznesit dhe kanë një impakt të rëndësishëm social pasi ulin kostot individuale dhe publike në rast të fatkeqësive të paparashikuara.

Çfarë mbulon Sigurimi i Pronës?

  • Sigurimi nga zjarri dhe rreziqet shtesë siguron pronën nga humbjet, dëmtimet ose shkatërrimet në mënyrë të papritur, të paparashikuar dhe aksidentale si pasojë e zjarrit, tërmetit, përmbytjet, rrufesë, stuhisë, etj.
  • Sigurimi nga vjedhja garanton dëmshpërblim për sendet e vjedhura të listuara në kontratën e sigurimit.
  • Sigurimi i kulturave bujqësore siguron të gjitha llojet e kulturave ndaj breshërit dhe rreziqeve natyrore si: stuhia, përmbytja, ngrica apo shtrëngata.
  • Sigurimi i blegtorisë është një kontratë sigurimi, me anë të së cilës sigurohet blegtoria ndaj sëmundjeve dhe aksidenteve.
  • Sigurimi i ndërprerjes së biznesit mbulon shpenzimet si pasojë e ndërprerjes së aktivitetit të biznesit nga zjarri apo rreziqet shtesë, duke garantuar fitimin neto si dhe kostot fikse

Në të njëjtën kohë ju mund të siguroheni edhe për dëmet që u shkaktohen edhe palëve të treta, duke deleguar përgjegjësinë financiare të dëmit tek shoqëritë e sigurimit.

KOSTOT E SIGURIMIT

Kostoja financiare e Sigurimit të Pronës është e përballueshme nga të gjitha shtresat e shoqërisë me një kosto për primin e mbulimit rreth 1 euro për m2. Nëse apartamenti juaj është 100 m2 atëherë primi juaj i sigurimit nuk do të jetë më shumë se 100 Euro në vit.

 

SI DUHET TË VEPRONI NË RAST DËMI?

I siguruari raporton dëmin dhe kërkon dëmshpërblimin për humbjet apo dëmtimet e pësuara të pronës që ka siguruar  brenda afatit ligjor të përcaktuar në kontratë.

Procedura për dëmshpërblim bëhet sipas formularit të publikuar në faqen zyrtare të internetit të shoqërisë së sigurimit dhe shoqërohet nga të paktën këto dokumenta:

  • Kërkesë për dëmshpërblim e plotësuar me detaje për ngjarjen e ndodhur;
  • Konfirmimin dhe /ose vendimin e organeve kompetente shtetërore mbi shkakun dhe/ose shkaktarët e dëmtimit të pronës;
  • Polica origjinale e sigurimit për pronën e dëmtuar, shoqëruar me kontratën dhe pyetësorin e marrjes në sigurim;
  • Karta e identitetit e aplikuesit për dëmshpërblim;
  • Autorizim përfaqësimi nga pronari i ligjshëm, kur aplikuesi është dikush tjetër;
  • Foto/video të pronës së dëmtuar në tërësi dhe çdo element të pretenduar për dëmshpërblim në veçanti në vendngjarje;
  • Certifikata e pronësisë së objektit të dëmtuar;
  • Skica, projekti, gentplani i pronës, objektit të dëmtuar, librezë teknike e pajisjes së dëmtuar;
  • Listë e detajuar e pajisjeve ose objekteve të dëmtuara në këtë ngjarje;
  • Deklaratë nga dëshmitarët në vendngjarje;
  • Akt vlerësimi i dëmit nga vlerësues të licencuar.
  • Relacion përmbledhës mbi ngjarjen e ndodhur dhe vlerësimin e dëmit

FORMULARI

KUJDES! I Siguruari, që për qellime përfitimi të padrejtë, zmadhon vlerën e dëmit, deklaron humbje apo dëmtim sendesh që nuk ekzistonin në momentin e ngjarjes, fsheh apo vë dorë mbi sende të shpëtuara, krijon dokumenta të falsifikuara, ndryshon me qëllim gjurmët e provat materiale të ngjarjes, humbet të drejtën për dëmshpërblim.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat