Përmbytjet e fuqishme vijojnë të godasin Pekinin për të katërtën ditë rradhazi duke përmbytur rrugë dhe zona të banuara.
11 persona kanë humbur jetën, 27 rezultojnë të zhdukur ndërsa më shumë se 52,000 njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre.
Situata është kritike pasi lumenjtë janë fryrë në nivele të rrezikshme, duke bërë që Pekini të përdorë një rezervuar për përmbytjet për herë të parë që kur u ndërtua 25 vjet më parë.
“Doksuri” është një nga stuhitë më të forta dhe më i rralli që ka goditur Kinën në vite dhe qindra miliona njerëz në pjesët veriore të vendit, përfshirë Pekinin vijojnë të mbeten nën alarmin e kuq, ndërsa mbi 18 mijë shtëpi janë shkatërruar.
Alarmi mbulon 22 milionë banorët e Pekinit dhe 14 milionë të Tianjinit.
Ushtria kineze ka dërguar disa helikopterë për të ofruar furnizime për njerëzit. Për të siguruar nevojat themelore, një brigadë e aviacionit të ushtrisë kanë bashkuar përpjekjet e shpëtimit për të dërguar furnizimet thelbësore në fshatra dhe për të transportuar banorët e bllokuar.
Ndërprerjet e ujit dhe energjisë elektrike vijojnë edhe në ditën e katërt. Disa linja metroje në kryeqytet, përfshirë trenat në periferitë perëndimore, janë pezulluar. Gati 400 fluturime u anuluan dhe qindra u vonuan në dy aeroportet e Pekinit.
Pekini regjistroi një mesatare prej 260 mililitra reshje duke thyer rekordin e vendosur në vitin 2012. Autoritetet e Hebeit kanë hapur zona të depozitimit dhe devijimit të ujit për të menaxhuar rreziqet nga përmbytjet.
Stuhia, sipas të dhënave paraprake, ka shkaktuar 2.06 miliardë dollarë dëme ekonomike.