Intervistë për Monitor e CEO-s së Fondit SIGAL, Elvis Ponari
Një kolonë e dytë, e detyrueshme e pensioneve private do të ndihmonte në zhvillimin e një kolone të tretë mbi baza vullnetare.
Elvis Ponari, drejtor ekzekutiv i shoqërisë administruese Sigal Life Uniqa Group Austria, mendon se nëse do të ngrihej një kolonë e dytë, njerëzit do të bëheshin më të vetëdijshëm lidhur me përfitimet e pensioneve private. Sipas tij, kjo do të lehtësonte kolonën e tretë, që ka si qëllim shtimin e mëtejshëm të përfitimeve.
Cilat janë qëndrimet tuaja kryesore rreth projektligjit “Për fondet e pensionit privat”, të hedhur për konsultim publik nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare?
Elvis Ponari: Projektligji i ri është një rimodelim i të vjetrit për më mirë. Është sipas parimeve të direktivave europiane, në tërësi është shumë i plotë dhe i modernizuar. E kanë hequr termin “vullnetare”, dhe e kanë ribërë “privat”, siç ka qenë, dhe në fakt është term i saktë.
Puna për hartimin këtij projektligji ka nisur që në 2019-n dhe kemi kohë që punojmë për të së bashku me AMF. Duke qenë se është diçka e marrë nga modelet europiane, është ligj që më shumë favorizon klientët me paga të larta. AMF do të mundësojë që të incentivojë shtresën më të madhe që të hyjnë apo aderojnë në fondet e pensionet. Megjithatë, ne mendojmë që skema duhet të përmbajë dhe t’u japë benefite të gjithëve.
Ligji është pak i ngurtë për sa u përket hapësirave për marketingun e këtyre fondeve dhe nuk të krijon shumë hapësira për ta bërë produktin tërheqës në sytë e publikut. Por, mendoj që po të kishim kolonën e dytë (sistemin e detyruar), nuk kishim nevojë për marketing, pasi klienti bëhet anëtar automatikisht dhe pastaj ne i shërbejmë ose i konsultojmë kolonën e tretë, pra, një pension privat shtesë.
Aplikimi i skemave të pensionit privat do të ndihmonte në uljen e deficitit të ISSH, në rritjen e pensioneve dhe të fuqisë ekonomike të vendit. E gjitha, në benefit të klientit, të ekonomisë dhe së ardhmes. Duke investuar në një pension privat, individët do të kenë mundësinë të kenë një pension 3 apo 4-fish më të lartë.
Projektligji parashikon rritjen e pragut të përjashtimit nga tatimi për kontributet, në vlerën e pagës minimale ligjore, si dhe shtrirjen e tatimit në përfitim vetëm mbi kthimet nga investimi. Mendoni se këto incentiva janë të kënaqshme dhe të mjaftueshme për t’i bërë më atraktive fondet private të pensioneve?
Elvis Ponari: Njerëzit duhet të incentivohen që të vijnë te fondet e pensionit, pasi ky është produkt për pensionin e tyre për moshën e tretë. Që kur të dalësh në pension, të vazhdosh me të njëjtën pagë që ke pasur në punë pra të jesh i pavarur dhe të kesh mundësi të shpenzosh, ose të kalosh një pension të mirë.
Duhet që secili nga ne të ketë një fond pensioni pasi, pavarësisht nëse je rrogëtar apo biznesmen, kursimet janë më të sigurta se çdo gjë. Dhe nga pak para çdo muaj, për 30 vite punë bëhen një pagë e mirë për pension. Pra është më shumë te çfarë ndodh me individin kur del në pension, të jetë i pavarur dhe të ketë një pagë pensioni të mirë dhe shteti të mos kontribuojë për një që nuk është në skemë.
Pragu i tatimit i vendosur është rishikuar dhe është mirë, por duhen parë dhe paga minimale dhe ajo maksimale që të jenë të kënaqur të gjithë. Ka dhe incentiva të tjera që duhen marrë parasysh si, tatimi për këtë kategori të ardhurash të jetë i ulët, pasi kemi të bëjmë me kursimet e individëve. Çdo gjë tjetër është e rregulluar mirë.
Besoni se ndryshimet e parashikuara në politikat e investimit krijojnë hapësira për të përmirësuar kthimet e fondeve të pensionit? Cilat janë risitë më domethënëse, në këndvështrimin tuaj dhe a mund të sugjeroni ndryshime të tjera, veç atyre që propozon AMF?
Elvis Ponari: Politikat investimit përkojnë me nivelin e kërkesës në treg. Kanë nevojë të zgjerohen, kjo pasi kompani të ndryshme kanë kërkesa dhe interesa të ndryshme. Por, mesa di unë, duke mbajtur kontakt të vazhduar me AMF, suporti i tyre është maksimal dhe përparimtar për të përmirësuar kuadrin përkatës.
Lexo edhe: VIDEO/ Çfarë ndodhi në “Fiks Fare”? Moderatorët lenë emisionin për të shkuar te Fondi SIGAL