8.5 C
Tirana
Thursday, November 21, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetPasgoditjet e COVID-19/ Si u rrit barra e sëmundjeve në popullatë

Pasgoditjet e COVID-19/ Si u rrit barra e sëmundjeve në popullatë

COVID-19 ëdhtë rikhyer në vendin tonë, por specialistët e shëndetit pohojnë se situata nuk është shqetësuese. Simptomat janë të ngjashme me gripin dhe nuk ka përkeqësime në atë masë që të kërkojnë trajtime ne spital.

Mjekët në poliklinikën e specializuar të mushkërive, “Hektor Çoçoli” në Tiranë shpjeguan se rastet nisën të shtoheshin rreth datës 20 gusht 2023 dhe në javën e dytë të shtatorit ka një përhapje më të madhe.

“Simptomat janë të ngjashme me gripin, por në të shumtën e rasteve nuk kanë nevojë për trajtim me antibiotikë. Zakonisht të prekurit kanë temperaturë të lartë, dhimbje të kyçeve dhe lodhje të theksuar për disa ditë. Ndërkohë që trajtimet nga ana jonë bëhen sipas simptomave që, në të shumtën e rasteve, nuk përfshijnë antibiotikët” – tha mjeku pneumolog, Luan Dyrmishi.

Teksa pas goditjet e COVID-19 rikthehen, popullsia ka humbur vigjilencën për masat mbrojtëse dhe ekzaminim me tampon. Janë vetëm disa raste të rralla që bëjnë testet dhe rezultojnë pozitive.

Mjekët po marrin si referencë këto raste për të trajtuar edhe të tjerët me simptoma të ngjashme.

“Tani nuk është një sezon virozash dhe rritja e rasteve për trajtim në poliklinikën tonë po krijohet nga përhapja e re e COVID-19” – tha z. Dyrmishi.
Simptomat janë më të rënda te moshat e vjetra dhe te të sëmurët kronikë, por edhe te persona me dëme të rënda në mushkëri nga valët e kaluara të COVID-19.

Një situatë të ngjashme është duke kaluar edhe Europa dhe SHBA. Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) raportoi se, javët e fundit, sinjalet e transmetimit të SARS-CoV-2 janë rritur nga nivelet shumë të ulëta më herët këtë vit.

ECDC ka gjetur se faktorët që nuk kanë lidhje me evolucionin gjenetik të SARS-CoV-2 ka, por nga rritjet e vërejtura të treguesve epidemiologjikë, të tillë si grumbullimet e mëdha dhe shtimi i udhëtimeve gjatë pushimeve sezonale, si dhe zvogëlimi i niveleve të mbrojtjes imunologjike kundër infeksionit.

Sidoqoftë, SARS-CoV-2 mbetet i aftë të përvetësojë mutacione që lehtësojnë qarkullimin e tij të vazhdueshëm në periudha të paparashikueshme gjatë gjithë vitit. Rritjet e vëzhguara së fundmi në transmetimin e SARS-CoV-2 kanë përkuar me shfaqjen e një grupi nënlinjash të lidhura me Omicron.Për sa u përket mutacioneve, varianti është shumë divergjent nga variantet aktualisht qarkulluese të SARS-CoV-2 duke sjellë mundësinë e rritjes së ri-infeksioneve.

Vigjilencë e ulët edhe nga qytetarët dhe institucionet

Si qytetarët, ashtu edhe institucionet që merren me monitorimin e situatës shëndetësore, e kanë humbur vigjilencën për nënvariantet e COVID-19. Ministria e Shëndetësisë, e cila centralizoi raportimin e të dhënave kur nisi pandemia, e ka njoftimin e fundit rreth COVID-19 më 17 shtator 2020, ndërsa të dhënat për vaksinimin, në maj 2023.

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), i cili monitoron përhapjen e pandemisë në popullatë, si për gripin, ashtu edhe COVID-19, nuk i publikon të dhënat që prej 3-mujorit të parë 2020.

Burimet nga ISHP pohuan se monitorimet kryhen sistematikisht, por të dhënat nuk publikohen si më parë, por dorëzohen te Ministria e Shëndetësisë. Përveçse të dhënat statistikore nuk janë më të disponueshme, mjekët dhe grupet e interesit nuk kanë njohuri për përhapjen e COVID-19 aq më tepër për nënvariantet dhe informacione të tjera të detajuara që mund të vlejnë.

Alban Ylli, epidemiolog i njohur dhe ekspert i politikave shëndetësore, thotë se tani, pandemia është shndërruar në endemi. COVID-19 qarkullon, por me simptomat e një gripi të thjeshtë, i cili si çdo virozë tjetër mund të krijojë vështirësi te grupmoshat e vjetra dhe të sëmurët kronikë.

Mjeku pneumoloug, Arjan Mezini, nga spitali universitar “Shefqet Ndroqi” tha se janë shtuar rastet me COVID-19, por më tepër si çdo virozë tjetër. Shumë pak raste kanë nevojë për hospitalizim.

Edhe në Bashkimin Europian, mbikëqyrja COVID-19 në aspektin e monitorimit dhe të dhënave është ulur ndjeshëm që nga viti i kaluar.

Shfaqja e variantit BA.2.86 nënvizon rëndësinë e vigjilencës së vazhdueshme për COVID-19, duke forcuar sistemet e mbikëqyrjes në kujdesin parësor dhe dytësor për të zbuluar tendencat në transmetimin e COVID-19 dhe sëmundjet e rënda, këshilloi Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), në një deklaratë zyrtare këto ditë.

Si po përhapen variantet e reja të COVID-19 në Europë, moshat e vjetra më të rrezikuara

Të dhënat nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) deri në fund të datës 27 gusht 2023 tregojnë se transmetimi i SARS-CoV-2 po rritet në Bashkimin Europian. Aktualisht të dhënat në lidhje me ashpërsinë e infeksionit janë të kufizuara.

Midis 21 vendeve që raportuan informacione specifike sipas moshës për rastet pozitive për COVID-19, në shumicën e tyre u vunë re rritje të rasteve te njerëzit 65 vjeç e lart dhe përhapje më e madhe te personat mbi 80 vjeç.

Duke qenë se këto grupmosha kanë rrezikun më të lartë të sëmundjeve të rënda, shifrat theksojnë rëndësinë e vazhdimit të monitorimit të sëmundjes dhe mbrojtjen e grupmoshave më të vjetra.
Testet pozitive janë rritur në 12 nga 19 vende që raportojnë informacione, por normat e ulëta të testimit po sjellin nënvlerësim të përhapjes së Covid-19 aktualisht.

Të dhënat e grumbulluara në javën e 34 të vitit (në mes të gushtit) tregojnë për 135 vdekje në 18 vende (krahasuar me 52 vdekje të raportuara nga 15 vende në javën 33 të vitit. Tre vende kanë vërejtur rritje të shkallës së vdekjeve në grupmoshën 65 vjeç e lart.

Por numri i pacientëve që paraqiten te mjekët e përgjithshëm me sëmundje respiratore, sëmundje të ngjashme me gripin, mbetet në nivele të ulëta krahasuar me sezonin e dimrit dhe në përputhje me ato të vërejtura në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat për rastet e rënda të Covid-19 mungojnë edhe në BE.

Peizazhi global i variantit SARS-CoV-2 aktualisht karakterizohet nga linjat pasardhëse të XBB. Mbi 300 linja pasardhëse XBB janë përshkruar deri më tani, të cilat bartin mutacione shtesë nga nënvarianti XBB. Peizazhi i variantit global dominohej deri vonë nga një grup linjash XBB të karakterizuara nga prania e tre mutacioneve në proteinën Spike të quajtura nën-variante të ngjashme me XBB.

Disa nënlinja po pësojnë një ndryshim të proteinë. Të dhënat sugjerojnë se linjat e ngjashme me XBB janë aktualisht linjat mbizotëruese të SARS-CoV-2 në shumë vende BE-së.

Studimet në nënvariantet e COVID-19 nuk ka gjasa të shoqërohen me ndonjë rritje të ashpërsisë së infeksionit në krahasim me variantet që qarkullojnë aktualisht. Megjithatë, individët e moshuar dhe ata me sëmundje kronike janë më të rrezikuar nëse infektohen, lajmëron ECDC.

Më 30 gusht 2023, komiteti i barnave humane i EMA në Europë autorizoi një vaksinë të përshtatur “Comirnaty” që synon nënvariantin Omicron XBB. Sipas rekomandimit, të rriturit dhe fëmijët e moshës mbi 5 vjeç mund të marrin një dozë të vetme, pavarësisht nga historia e tyre e vaksinimit kundër COVID-19.

Fëmijët e moshës nga gjashtë muaj deri në katër vjeç, që kanë nevojë për vaksinim, mund të marrin një ose tre doza në varësi të faktit nëse ata kanë marrë një vaksinë primare kundër Covid-19.

 

COVID-19 rriti barrën e sëmundjeve në popullatë

Dy valët e para të COVID-19 në vitin 2021 dhe 2022 krijuan pasojat afatgjata te të prekurit, të tilla si dëmtimi i mushkërive, sistemit nervor dhe lodhja kronike.

Pasojat afatgjata pas infeksionit SARS-CoV-2 po bëhen një barrë e rëndësishme për shoqëritë dhe sistemet e kujdesit shëndetësor.

Në poliklinikën e specializuar të mushkërive në Tiranë, e njohur si “Dispanseria”, mbi 15% e atyre që e kanë kaluar infeksionin me prekje në shkallë të madhe të mushkërisë vuajnë nga fibrozat polmunare, një lloj i kalcifikimit të pjesëve të mushkërisë që, në disa raste, kthehen në dëme të përhershme – shpjegojnë mjekët.

Fibrozat në mushkëri Post-COVID, përveçse janë një ngarkesë e re për sistemin, ulin në mënyrë të ndjeshme produktivitetin e jetës te personat e prekur. Përgjithësisht, këta persona nuk përballojnë punë të rënda fizike dhe kanë nevojë për mjekime që zgjasin gjithë jetën, duke u shndërruar në barrë për shoqërinë dhe sistemin shëndetësor në afat të gjatë, shprehet doktor Mezini.

Një pjesë e madhe e tyre do të mbeten të sëmurë kronikë dhe do të jenë një barrë e re shtesë për sistemet spitalore në vend. Sipas vlerësimeve nga Poliklinika e Trajtimit të Mushkërive, rreth 20% e pacientëve vuajnë nga një lodhje e gjatë kronike, e cila zgjat në kohë. Pacientët me këto simptoma nuk ndihen si më parë gati edhe një vit pasi kanë kaluar infeksionin.

Depresioni dhe prekja e sistemit nervor është një nga simptomat kryesore e “COVID të gjatë” edhe në Shqipëri, ashtu si dhe në të gjithë botën. Pas valëve pandemike, numri i personave që kërkojnë trajtim në pavijonet e psikiatrisë është rritur ndjeshëm edhe nga të dhënat zyrtare.

“Nature”, një revistë javore ndërkombëtare, që boton kërkimet më të mira në të gjitha fushat e shkencës, publikoi një studim i cili evidentoi se COVID-19 lë 55 efekte negative afatgjata te personat e prekur.

Rezultatet treguan se 80% e pacientëve të infektuar me SARS-CoV-2 zhvilluan një ose më shumë simptoma afatgjata. Pesë simptomat më të zakonshme ishin lodhja (58%), dhembja e kokës (44%), çrregullimi i vëmendjes (27%), rënia e flokëve (25%) dhe dispnea 24% (ndjesi e pamundësisë për t’u mbushur me ajër). /Monitor
LEXO EDHE: 36 milionë europianë vuajtën nga Covid i tejzgjatur

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat