Tre vitet e ardhshme Shqipërisë pritet ti shtohen edhe rreth 45 mijë pensionistë të rinj, mesatarisht me rreth 15 mijë në vit.
Ministria e Financave llogarit se kosto financiare për këta pensionistët e rinj do të jetë rreth 27 miliardë në vit ose rreth 228 milionë euro për tri vjet.
Gjatë këtyre viteve skema e pensioneve do të mbulojë më shumë se 830 mijë persona me pagesa, të cilët janë gati sa një e treta e popullsisë banuese në vend.
Ministria e Financave përllogarit se përgjatë tre viteve, vetëm për shkak të indeksimit për mallrat e konsumit dhe të shërbimeve, të përcaktuar në shportën e pensionistëve, fondet shtesë që nevojiten janë 3,5 miliardë lekë në vitin 2023, rreth 3,6 miliardë lekë në vitin 2024 dhe 3,7 miliardë lekë në vitin 2025.
Qeveria parashikon se numri i kontribuuesve me numrin e përfituesve pritet të barazohet në vitet në vijim, për shkak se tani po del në pension brezi i bumit të lindjeve në vitet 1950-1960 dhe nga ana tjetër emigracioni masiv i moshave të reja po redukton fuqinë punëtore.
Shkalla e mbulimit të popullsisë në moshë punë (kontribuues / popullsi në moshë pune) do të jetë mbi 43%.