Pasi qytetarët mësuan pagat e njëri-tjetrit nga publikimi i listapagesave, dita e parë e vitit 2022 ka sërish lajme për rrogat e shqiptarëve.
Nga 1 janari 2022 hyn në fuqi ndryshimi i tatimit mbi të ardhurat. Ndryshimet më kryesore prekin në mënyrë direkte qytetarët, pasi do të rritet paga dysheme e patatueshme, nga niveli 30 mijë lekë në nivelin 40 mijë lekë në muaj.
Sipas Ministrisë së Financave nga ky ndryshim përfitojnë 71,500 qytetarë, në masën totale prej 557 milionë lekë në vit.
Nga kjo skemë lehtësuese pritet të përfitojnë edhe 58 mijë qytetarë pasi për pagat nga 40-50 mijë do të të tatohen vetëm me 6.5%.
Po nga 1 korriku do të rriten pagat për mjekët, infermierët dhe mësuesit me 6 për qind. Pagat për punonjësit e policisë ndërkohë që shërbejnë larg vendbanimit shkon ne 150 për qind. 30% është niveli i rritjes së pagës për forcat e armatosura. Ndërkohë që pensionet do të indeksohen.
Qeveria ka vendosur që të shtyjë deri më 30 prill afatin për rivlerësimin e pasurive të patundshme me 3%; si dhe mosaplikimin e gjobave për fiskalizimin deri në fund të qershorit.