Ekspertët e klimës në Kombet e Bashkuara paralajmërojnë qeveritë botërore se duhet të përgatiten për intensifikimin e valëve të të nxehtit përgjatë viteve të ardhshme.
Parashikimin më të frikshëm e dha shkencëtari i NASA-s, Piter Kalmus, sipas të cilit, kjo aktualja është vera më e freskët, krahasuar me ato që do të vijnë.
Thuajse në të gjitha qytetet kryesore të Italisë është dhënë alarmi i kuq, ku zbatohen masa parandaluese për shmangien e viktimave nga i nxehti përvëlues.
Autoritetet italiane vendosën këtë të mërkurë të zgjerojnë në 23 qytete aplikimin e këtyre masave nga 16 që ishin deri më tani.
Jo vetëm Italia, por i gjithë jugu i kontinentit, ashtu edhe pjesa më e madhe e hemisferës veriore po vuajnë nën temperatura që luhaten mes 40 gradëve.
Në Arizona të Shteteve të Bashkuara u shënua një rekord i ri për ditët me të nxehtë ekstrem.
19 ditë temperatura mbi 40 gradë janë regjistruar me valën e vapës përvëluese që pritet të vijojë edhe për disa ditë të tjera, duke thyer rekordin e vitit 1974 me 18 ditë.