“Ndikimi i pandemisë së Covid-19 pritet të reflektohet gjatë në popullatë tek të gjitha grupmoshat.
Tek fëmijët pritet të kemi një rritje të obezitetit, gjetjet bëhen të ditura në raportin e OBSH ku vihet re se kemi një ulje të aktivitetit fizik”.
Studimi i OBSH nxjerr në pah se izolimi nga pandemia solli një rritje të fëmijëve të moshës 7 dhe 9 vjeçare që qëndronin përpara ekranit, dhe më pak aktivitet fizik, duke sjellë rritje të mbipeshës.
Sipas raportit pothuajse 36% e fëmijëve të pyetur në 17 shtete, mes tyre edhe Shqipëria, shtuan kohën e kaluar përpara televizorit.
“Përsa i përket aktivitetit fizik ne kemi rënie të saj për shkak të mbylljes dhe për fat të keq u rrit koha e qëndrimit në mjetet elektronike dhe ne presim rezultatet nga perceptimi prindërve të kemi një rritje të mbipeshës dhe obezitetiv.
Për Shqipërinë prindërit raportojnë që pas pandemisë tek fëmijët e tyre kishte dyfishim të peshës, ndërsa tek ata mbipeshë kishte 3 herë më shumë rritje të obezitetit, por trendi i rritjes në nivel europian në krahasim me atë kombëtar është se në Europë pritet të 4fishohet obeziteti dhe mbidyfishohet mbipesha”, tha për TV Klan Jolanda Hyska, Shefe e Sektorit të Ushqyerjes dhe Sigurisë Ushqimore, ISHP.
Por pandemia ndikoi pozitivisht përsa i përket konsumit të vakteve të shëndetshme me familjen. 1 në 5 fëmijë në vendin tonë rriti konsumin e frutave.
“Pandemia ka sjellë një qasje pozitive dhe përmirësuese të sjelljeve. Fakti që familjet qëndruan së bashku bëri që të kishte më pak konsum të ushqimeve të përgatitura jashtë nëpërmjet kërkimit online. Shqipëri kishte një rritje të konsumit të frutave. 1 në 5 fëmijë kishte rritur konsumin e frutave në familje. Shqipëria qëndron më mirë se të gjitha vendet e rajonit për mënyrën e konsumit dhe uljen e pijeve me gaz dhe sheqer të shtuar”.
Megjithatë, për ekspertët, kyçi i një jete të shëndetshme është zhvillimi i aktivitetit fizik i cili është kyç në uljen e mbipeshës dhe obezitetit. Në Europë 1 në 3 fëmijë jeton me mbipeshë dhe obezitet.