Tregu i pensioneve private vullnetare u rrit më tej në tremujorin e parë të këtij viti.
Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se numri total i anëtarëve arriti në 37,060 anëtarë.
Gjatë tremujorit të parë të vitit, numri i anëtarëve të fondeve është zgjeruar me 1.5%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar rritja e numrit të anëtarëve ka arritur në 7.2%.
Vlera e aseteve neto të fondeve të pensionit në fund të muajit mars arriti në 5.97 miliardë lekë, në rritje me 4.7% që nga fillimi i vitit dhe me 22.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Por për nga vlera e aseteve, tregu i fondeve private ngelet ende segmenti më i vogël i tregut financiar në Shqipëri.
Deri në fund të 3-mujorit të parë 2023, në treg ishin aktive pesë fonde pensionesh private, me SIGAL UNIQA Fond Pensioni që vijon lidere në treg sa i përket aseteve neto, 43.43% të totalit.
Numri i individëve pjesëmarrës në fondet private të pensioneve po rritet me ritme të qëndrueshme, por mbi një bazë të ulët ndërsa depërtimi i këtyre skemave ngelet ende shumë i ulët.
Vetëm 2.7% e numrit të përgjithshëm të të punësuarve në vend po kontribuojnë për një pension privat, shifër që tregon një nivel ende shumë të ulët.
LEXO EDHE: Ponari: Kolonat private janë zgjidhja afatgjatë e problemit të pensioneve
Projektligji i ri për fondet private të pensioneve, që pritet të miratohet së shpejti nga Kuvendi i Shqipërisë, synon t’i bëjë pensionet private më tërheqëse. Ai parashikon rritjen e përjashtimit nga taksat si për kontributet e punëmarrësve, ashtu edhe për ato të punëdhënësve.
Megjithatë, shoqëritë administruese të fondeve kanë kërkuar më shumë incentiva si dhe përjashtimin e plotë të përfitimit nga pensioni privat prej tatimit, duke përfshirë edhe edhe pjesën e kthimit nga investimi.
LEXO EDHE: “Të hiqet tatimi 15% mbi pensionet private”/ Hasa: Paralizon tregun dhe dekurajon qytetarët