Yield-et e bonove 12-mujore shënuan një tjetër rritje të ndjeshme në ankandin e zhvilluar ditën e sotme.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë yield-i mesatar i ponderuar arriti në 4.53%, nga 3.95% që kishte qenë në ankandin e fundit, të zhvilluar vetëm një javë më parë. Ky është niveli më i lartë i yield-eve të këtyre instrumenteve i shënuar që nga gushti i vitit 2013. Ndërkohë, yield-i maksimal i pranuar në ankand nga Ministria e Financave arriti nivelin e 5%.
Qeveria nuk arriti të siguronte të gjithë shumën e shpallur për financim, prej 8.7 miliardë lekësh. Shuma totale kërkesave të paraqitura në ankand arriti në rreth 7.26 miliardë lekë, shumë që u pranua e gjitha nga Ministria e Financave. Ky ishte ankandi i dytë i bonove 12-mujore në harkun e një jave, çka mund të ketë ndikuar në tkurrjen e likuiditetit të disponueshëm në treg.
Yield-et e bonove dhe obligacioneve të qeverisë shqiptare po rriten me ritme shumë të shpejtë që pas tremujorit të dytë, pasi Banka e Shqipërisë nisi normalizimin e politikës monetare, duke rritur normat bazë të interesit që aplikon në operacionet e saj me bankat tregtare. Norma bazë ka arritur në 1.75%, nga 0.5% që kishte qenë deri në fund të muajit mars. Tregu i titujve të borxhit të qeverisë është ai që i reflekton më shpejt lëvizjet e politikës monetare. Yield-et e bonove 12- mujore në harkun e një viti janë rritur me 156%.
Duke parë nivelet e larta të inflacionit dhe sinjalet e dhëna nga Banka e Shqipërisë, gjasat janë që rritja e normës bazë të vazhdojë edhe në tremujorin e fundit të këtij viti, me shumë të ngjarë duke filluar që nga vendimmarrja e ardhshme e politikës monetare, e muajit tetor. Çdo rritje e mëtejeshme e normës bazë do të reflektohet edhe në ecurinë e yield-eve, sidomos të instrumenteve afatshkurtra.
Rritja e shpejtë e normave të interesit po rrit kostot e huamarrjes për qeverinë. Duke llogaritur së bashku borxhin e brendshëm dhe të jashtëm me interesa të ndryshueshëm, si edhe borxhin e brendshëm afatshkurtër, me maturim deri në një vit, rezulton se afërsisht një e treta e stokut të borxhit publik është e ekspozuar ndaj rritjes së normave të interesit.
Një rritje e shpejtë e normave të interesit teorikisht shton rreziqet edhe për sektorin bankar. Në një moment të parë, kjo rritje e shpejtë e yield-eve do të përkthehet në zgjerimin e të ardhurave nga interesat. Por, gradualisht interesat më të larta do të ulin aftësinë paguese të huamarrësve, duke rritur sasinë e kredive me probleme dhe duke ngadalësuar kredidhënien e re.