Hetimet e policisë për zbardhjen e shpërthimit që ndodhi të premten në Lushnje dhe që u mori jetën 2 personave, babë e bir dhe që plagosi 7 të tjerë mund të mos ketë ardhur nga kontakti me linjën e tensionit të lartë.
Një tjetër pistë që ka dalë në dritë pas verifikimeve të kryera është shpërthimi i një prej bombolave me oksigjen për shkak të nxehtësisë së shkaktuar nga saldimi.
Në dosjen që policia e Lushnjes ka referuar në Prokurorinë e Fierit këtë të hënë janë disa vepra penale të referuara. Mësohet se hetuesit kanë marrë në pyetje të plagosurit që u shtruan në spitalin e Lushnjes, ndërsa deputeti socialist Bujar Çela dhe të lënduarit, Saimir Korreshi dhe Sokol Lumi, nuk janë pyetur ende, për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore të rënduar.
Sokol Lumi ishte klient i rastit në pikën e produkteve ushqimore me shumicë, kur u godit nga një hekur si pasojë e shpërthimit. Ndërsa i plagosuri tjetër, Saimir Korreshi, ndodhej në biznesin e tij pranë kapanonit në ndërtim.
Dje, një grup nga emergjencat civile të Bashkisë së Lushnjes ka bërë verifikimin e dëmeve, kryesisht të banesave private të dëmtuar si pasojë e shpërthimit në datën 1 Mars.