Strategjia e re e decentralizimit parashikon që në vitet e ardhshme, bashkitë të marrin disa kompetenca të reja, që në thelb synojnë jo vetëm fuqizimin e tyre ekonomik, por edhe rritjen e rolit të tyre në zhvillimin e ekonomisë lokale.
Në këtë kontekst, parashikohet që në 3 vitet e ardhshme, të nxiten bashkëpunimi mes bashkive, përmes nënshkrimit të marrëveshjeve të veçanta për rritjen e ekonomive të shkallës dhe bashkimin e shfrytëzimin e përbashkët të aseteve që kanë.
Kjo do të arrihet përmes një ndryshimi ligjor që do t’i heqë bahskive disa kompetenca duke ia transferuar këshillave të qarqeve.
Këto të fundit, me pas do të veprojnë si urë lidhëse mes bashkive në shfrytëzimin e aseteve të përbashkëta.
Bashkitë, bashkë-aksionere me bizneset
Një risi tjetër e viteve të ardhshme pritet të jetë edhe krijimi i disa skemave të reja, që në thelb krijojnë partneritet mes bashkive dhe bizneseve.
Hapi i parë do të jetë e drejta e bashkive për t’u dhënë grante bizneseve apo për të krijuar skema për nxitjen e tyre.
Veç kësaj, parashikohet mundësia që bashkitë të marrin të drejtën që të krijojnë shoqëri tregtare të përbashkëta me biznese, me qëllim që të realizojnë projekte të ndryshme që kanë rëndësi ekonomike për zonën por edhe që krijojnë të ardhura shtesë për to.
Përfitimet nga kjo mënyrë funksionimi do të jenë të kufizuara vetëm për shërbime që ndikojnë drejpërdrejt në zhvillimin ekonomik të zonës duke shmangur konfliktin me operatorët ekonomike me pronësi private.
Shërbime të tilla mund të jenë organizimi i panaireve të produkteve të zonës në zona publike dhe të aksesuseshme nga palët e interesuara
Bashkitë dhe e drejta për të dhënë koncesione
Vënia në shfrytëzim e aseteve vendore konsiderohet si një instrument i rritjes ekonomike vendore dhe burim për gjenerimin e të ardhurave.
Në kuadër të përforcimit të rolit vendor në zhvillimin ekonomik, njësitë e vetëqeverisjes vendore do të nxiten të identifikojnë, vlerësojnë, transferojnë dhe vënë në përdorim asetet vendore në funksion të përmbushjes së funksioneve të tyre dhe rritjes së të ardhurave.
Për këtë, bashkitë do të nxiten dhe mbështeten për procesin e vlerësimit dhe klasifikimit të pronave/aseteve me qëlim krijimin e një inventari të aseteve.
Kapacitetet e bashkive do të zhvillohen për të vënë në funksionim forma të shfrytëzimit të pasurive vendore për qëllime ekonomike apo sociale; nëpërmjet qiradhënies, bashkë-investimit nëpërmjet formave të partneritetit publik privat; koncesioneve apo tjetërsimit.
Në listën e risive që pritet të ndërmerren në fushën e fuqizimit të bashkive, është edhe roli i tyre i ri në aplikimin për financime në sektorin bujqësor, në shfrytëzimin e pasurive historike e kulturore apo edhe në fushën e tatimeve dhe taksave. /SCAN