16.5 C
Tirana
Tuesday, May 14, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetNga 900 deri në 1500 euro m2 për ta blerë/ Apeli i...

Nga 900 deri në 1500 euro m2 për ta blerë/ Apeli i Shoqatës së Siguruesve: Sigurimi i apartamenteve, mundësi e mirë për t’u mbrojtur nga të papriturat

Një ditë pas zjarrit të rënë në një nga pallatet e reja në Tiranë, nis dhe bilanci i dëmëve.

Paraprakisht thuhet se, katër apartamente janë shkrumbuar krejtësisht në pallatin 10-katësh që u përfshi nga flakë në rrugën ‘Sali Butka’, në zonën e njohur si ish-Parku i Autobusëve në Tiranë.

Veç tyre, thuhet se nga flakët janë dëmtuar pjesërisht edhe 12 banesa, të cilat janë bërë të pabanueshme.

Sipas një investigimi paraprak të ngjarjes, banor֝ët kanë paguar nga 900 deri në 1500 euro m2 për të blerë një hyrje në pallatin 10-katësh.

Ka dhe nga ata që thanë për mediat se banesat i kanë blerë me kredi.

Sigurimi i pronës është një mundësi e mirë për tu mbrojtur nga humbjet financiare që shkaktohen nga ngjarje të papritura. Për këtë i bëjmë apel të gjithë pronarëve të apartamenteve që të bëjnë të mundur sigurimin e banesave pasi vetëm përmes këtij sigurimi do të mund të përfitojnë jetëgjatësi në pronën e tyre, nëpërmjet dëmshpërblimit dhe kthimit të saj në gjëndjen fillestare”.

Ky është apeli i znj. Mimoza Hajdarmataj, Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë.

Ekspertët të parët në terren për identifikimin e ngjarjes

Familjet që kanë blerë banesat e tyre me kredi duket që u “lexohet” pak shpresë në sytë e tyre. Ndërsa ato që nuk kanë asnjë sigurim presin në qiell të hapur.

Ne si popull nuk jemi të edukuar mbi rëndësinë e sigurimeve. Vetëm kur zoti na sjell raste të tilla kujtohemi. Unë ë kam të siguruar banesën për efekt kredie. E di se do mund të dëmshpërblehem nga banka por për shumën e kredisë jo për të gjithë vlerën e shtëpisë”, tregon E. K njëri nga banorët e pallatit që u përfshi dje nga flakët.

Banorët janë të stacionuar në oborrin e pallatit dhe presin të “hulumtojnë” ndonjë informacion nga ekspertët. Ka dhe nga ata familjarë që “vajtojnë” shtëpinë investimin e një jete.

Jam shumë e shokuar nga ngjarja. Kam qene në punë dhe fatmirësisht fëmijët i kisha në shkollë. Jam shumë e kënaqur që s’ka lëndime te banorët po jam tejet e shkatërruar nga kjo humbje e madhe sepse unë nuk e kisha as të siguruar”, tregon M. B.

Grupet e akt-ekspertimeve kanë mbërritur në pallat dhe po kryejnë verfikimin e dëmeve nga zjarri si dhe do të përcaktojnë shkaqet që çuan në shpërthimin e flakëve.

Nga hetimet paraprake dyshohet se zjarri ka shpërthyer si pasojë e një shkëndije elektrike në një pajisje elektroshtëpiake në duplex-in në katin e fundit të pallatit 10 katësh, që është në pronësi të një mjeku.

Pallati, ndërtuar në vitin 2021, rrezikoi seriozisht të shembej nga flakët që nuk njohën kufi dhe u shpërndanë thuajse në të gjithë strukturën e godinës së banuar, por fatmirësisht nuk shënuan të plagosur dhe asnjë humbje jete, pasi banorët u evakuuan në kohë.

Rreziqet nga katastrofat, me pasoja të humbjeve apo dëmtime pasurore dhe njerëzore, shtohen, ndërgjegjësimi i shqiptarëve për Sigurimin e Pronës vetëm ulet.

Pak ndërgjegjësim qytetar për Sigurimin e Pronës

Edhe pse Shqipëria rënditet mes shteteve më të rrezikuara nga fatkeqësitë natyrore, vendi ynë vijon të jetë i fundit në Evropë sa i përket shpezimeve mesatare për frymë për sigurime.

Sikur të mos mjaftonin përmbytjet e përvitshme, zjarret e përhershme, aksidentet me bombolat e gazit që sa vijnë dhe shpeshtohen apo tërmetet tragjike të vitit 2019, shqiptarët vijojnë të jenë të pandërgjegjësuar mbi rëndësinë e të qënurit të siguruar.

Sipas publikimeve të AMF, rezulton se shpenzimet për Sigurimin e Pronës, shtëpi apo biznes, ka qenë 808,270,000 Lekë. Në rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë (563,447,000 Lekë) por sërish jo aty ku duhet.

Sipas INSTAT, popullsia e Shqipërisë deri në 1 janar 2022 ka qenë 2,790,000 banorë çka do të thotë se gjatë tre muajve të parë të këtij viti një qytetar shqiptar ka shpenzuar vetëm 290 Lekë për Sigurimin e Pasurisë, ose rreth 2.5 Euro. Ndërsa një vit më parë ishte 200 Lekë ose 1.7 Euro.

Nëse do të ruhet kjo ecuri deri në fund të vitit atëherë shpenzimi vjetor do të jetë rreth 10 Euro, shumë larg vendeve të rajonit dhe atyre të Europës.

Indiferentë apo mungesë kulture?

Shqiptarët duken të prirur të sigurohen vetëm me atë produkte që janë me detyrim duke bërë që sigurimet e detyrueshme të zenë përqindjen më të madhe të tregut në Shqipëri.

Por nuk duhet harruar se viti nuk ka vetëm ditë me diell. Ka ditë me shi, përmbytje, katastrofa natyrore, tërmetet etj, fenomene për të cilat Banka Botërore ka ndezur alarmin e kuq duke i bërë thirrje edhe qeverisë për të marrë masa.

Por përse shqiptarët vazhdojnë të shpenzojnë më pak për sigurime ndërkohë që rreziqet sa vijnë dhe shtohen?

Kjo ka dy arsye kryesore: E para, për shkak të kaluarës komuniste ku për gjithçka përgjigjej shteti, kultura e sigurimit është shumë e ulët dhe e dyta, është mungesa e një sërë ligjesh që i bëjnë më të domosdoshme dhe më të rëndësishme sigurimet tek çdo qytetar.

Pse europianët nuk e mendojnë jetën pa sigurime dhe çfarë përfitojnë më shumë se ne?

Përfitimet nga sigurimet janë të njëjta, si në Shqipëri ashtu edhe në Europë e kudo pasi kontratat e sigurimit janë të njëjta. Por ndryshimi është se ne ende nuk e kemi kulturën e sigurimeve dhe pavarësisht rreziqeve mund ta mendojmë jetën tonë pa një sigurim shëndeti, sigurim shtëpie, makine apo pension pension. Një i huaj nuk mund ta mendojë.

Tregu i Sigurimeve i konsoliduar, çmimi i sigurimit i minimal

Pas tërmeteve të vitit 2019 u shkaktuan shumë dëme materiale dhe jetësore. Tregu i sigurimeve ju gjend pranë të gjithë të dëmtuarve duke i vlerësuar dëmet e shkaktuara dhe duke i likuiduar në kohë rekord.

Familjarët dhe bizneset e siguruara ishte e vetmja shtresë që nuk u “stresua” për kostot financiare të dëmeve të shkaktuara. Vlera monetare e dëmeve të paguara vetëm në atë periudhë kalon shifrën e 40 milionë eurove.

Qëllimi i sigurimit të pronës është të minimizojë kostot e mundshme të katastrofave natyrore dhe me natyrë njerëzore në ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.

Për fatin e mirë të të gjithë pronarëve apo bizneseve, pajisja me një sigurim prone është ende mjaft e lirë në vendin tonë. Teksa një metër katror ndërtim në Tiranë kushton minimalisht 1000 Euro, sigurimin e Pronës mund ta bënin tuajën për 1 euro m2/vit.

Familjet apo bizneset, sado të kenë kursyer dhe vënë para mënjanë, ashpërsia e goditjes nga ngjarje të papritura mund të jetë shumë herë më e madhe se këto fonde. Dhe për të mbuluar riskun e mospërballimit ekonomik nga fenomene si zjarri, tërmeti, përmbytja etj, shoqëritë e sigurimit kanë qenë ndër shekuj dhe mbeten akoma mekanizmi mbrojtës për financat tona.

Duke transferuar riskun te kompania e sigurimit, qytetari dhe biznesin fiton sigurinë e vazhdimësisë së jetës aty ku e ka lënë. Ndaj secili duhet të sigurojë gjithçka posedon duke mos i lënë asgjë rastësisë.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat