Mbi 100 raste tentativash mashtrimi zbulohen çdo vit nga kompanitë e mëdha të sigurimeve.
Rreth 30% e këtyre rasteve përfundojnë me refuzim të pagesës së dëmit.
15% e rasteve ndryshojnë peshën e fajësisë, duke u ndarë në dyfajësi.
Legjislacioni
Legjislacioni shqiptar, konkretisht neni 145 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, e parashikon mashtrimin në sigurime si vepër penale.
Konkretisht ky nen parasheh se paraqitja e rrethanave të rreme në lidhje me objektin që sigurohet, ose krijimi i rrethanave të rreme dhe paraqitja e tyre në dokumentet duke përfituar padrejtësisht sigurime, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Të mashtrosh sot kompanitë e sigurimeve, kryesisht për shkak të ekspertizës, burimeve njerëzore në departamentet hetimore që ngrenë, rrjetit të informacionit dhe teknologjive që gjurmojnë rastet, është shëndrruar në mision të pamundur.
Inteligjenca zbuluese
Pavarësisht tendencës për tjetërsimin e rrethanave dhe dinamikat e një aksidenti, përmes fotove dhe kqyrjes së vendngjarjes, provat dhe faktet e ngjarjes mbeten të patjetërsueshme.
Kompanitë shqiptare, si ato në Botë, kanë departamente të posaçme të investigimit, që zotërojnë dhe kryejnë investigim të mirëfilltë policor, hetim policor sipas manualeve te hetimit policor modern, me metoda speciale hetimore.
Në departamentet e regjistrimit të dëmeve, një sistem i ndërtuar identifikon personat me tendencë mashtrimi.
Flamujt e kuq po ashtu lidhen edhe me parregullsi të caktuara në dosje.
Kryqëzimi i njëhershëm i të dhënave e ngre shumë filtrin dhe nxit dedektimet e rasteve si dhe shtyn drejt verifikimit të rregullsisë së pretendimeve nga palët.
Tendencat shqiptare
Tendencat më të shpeshta, nisur nga rastet në Shqipëri, janë vërejtur te praktikat e dëmeve TPL dhe shëndetësore dhe rasteve kur aksidenti nuk ka ndodhur fare.
Sa u takon të parave ato janë aksidente të dokumentuara kryesisht përmes kallëzimit të përfituesit. Pas aksidenteve automobilistike pa dëme shëndetësore, në vendngjarje paraqitet vetëm polici rrugor.
Duke qenë se nuk janë raportuar dëme shëndetësore nuk ka prani të oficerëve të policisë gjyqësore për të kryer kqyrjen e vendngjarjes dhe veprimet e tjera procedurave në funksion të gjetjes së provave dhe fakteve. Pas kësaj, ndonjeri nga palët, me dakordësi me palën tjetër, paraqet përmes kallëzimit edhe pretendimin për dëm fizik. Mirëpo koncepti i mosadministrimit të provave dhe fakteve nga OPGJ-ja, e bën menjëherë këtë rast të dyshimtë dhe nis dedektimi dhe hetimi i rastit.
Rasti tjetër është ai me inskenim aksidentesh të paqena. Rastet kur aksidenti nuk ka ndodhur, por me qëllim përfitimin nga kompania e sigurimeve, inskenojnë dhe tjetërsojnë rrethanat. Menjëherë kompanitë serioze të sigurimeve duke përdorur burime të ndryshme informacioni, nisin një proces investigimi të mirëfilltë. Një detaj interesant është se në shumicën e aksidenteve të inskenuara, përherë raportohet se ato kanë ndodhur në orare të vona të natës.
Në Shqipëri gjatë viteve janë vërejtur edhe përpjekje të mashtrimit me pronën, sidomos për të shmangur detyrimet ligjore, në mënyrë që të përfitohet dëmshpërblim përpara konfiskimeve apo shembjes për projekte publike, por filtri i marrjes së tyre në sigurim dhe kontrolli i ecurisë i bën më të identifikueshme rastet e përpjekjeve për mashtrim.
Të mashtrosh kompanitë e sigurimit sot, humbje e sigurt
Në një treg sigurimesh që po sofistikohet çdo ditë e më shumë, mashtrimi nuk është më thjesht një “tentativë për përfitim të padrejtë”, por një akt i rrezikshëm me pasoja të rënda ligjore dhe financiare. Ekspertiza e kompanive, përdorimi i teknologjive të avancuara dhe bashkëpunimi me autoritetet ligjzbatuese e kanë kthyer zbulimin e mashtrimeve në një proces pothuajse të pashmangshëm. Përpjekjet për të inskenuar aksidente apo për të paraqitur dëme të paqena, përballen sot me filtra të fortë kontrolli dhe mekanizma investigimi që ekspozojnë pasaktësit. Mesazhi është i qartë: mashtrimi në sigurime nuk shpërblen, sjell ndëshkim dhe humbje të sigurtë.