Dëmet e paguara në numër nga kompanitë e sigurimeve gjatë vitit 2022 ishin në nivelin më të lartë historik. Numri i kërkesave për dëmshpërblim të paguara gjatë vitit të kaluar arriti në 55, 705, për një vlerë totale prej 6.25 miliardë lekë, ose rreth 55 milionë euro.
Sipas të dhënave zyrtare të këtij sektori, në vitin 2021 shoqëritë e sigurimit trajtuan dhe paguan në total 50,541 praktika dëmesh për një vlerë të përgjithshme prej rreth 6 miliardë lekë.
Viti i kaluar shënoi gjithashtu rritje të numrit të dëmeve të paguara për sigurimin e detyrueshëm motorik TPL, të cilat arritën vlerën e 3.27 miliardë lekë, më shumë se gjysma e totalit të gjithë dëmeve të paguara në tregun e sigurimeve.
Pagesat e larta të dëmeve gjatë vitit 2022, sollën edhe ulje të stokut të dëmeve në status pezull (ende të papaguara). Në fund të vitit të kaluar, numri i dëmeve pezull të shoqërive të sigurimit ishte vetëm 13.4% e gjithë dëmeve të trajtuara nga ana e tyre, niveli më i ulët historik. Kjo është reflektuar edhe në uljen me rreth 20% të numrit të praktikave të dëme pezull, krahasuar me vitin e mëparshëm. Kështu, në fund të vitit 2022, shoqëritë e sigurimit kishin rreth 8607 praktika dëmesh pezull, nga 10745 në fund të vitit 2021.
Gjithashtu, në vitin 2022 ka patur përmirësim të situatës sa i përket Fondit të Kompensimit.
Nëse më përpara, rastet e Fondit të Kompensimit sillni sorrollatje e vonesa, madje edhe dërgimin e çështjeve në gjyq, konstatohet se pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për sigurimet, në korrik 2021, deri në fund të vitit 2022, asnjë rast fond kompensimi nuk ka shkuar në gjykatë.
Në përmirësimin e situatës ka ndikuar edhe aplikimi i pagesave përmes siguruesit të drejtpërdrejtë, ku 87% e rasteve fond kompensimi janë zgjidhur në këtë mënyrë.
Disa nga avantazhet e trajtimit të drejtpërdrejtë të dëmshpërblimit që prej vitesh zbatohet nga kompania SIGAL UNIQA Group Austria:
- Rritet cilësia e shërbimit ndaj klientit
- Ulet koha për dëmshpërblimin e klientit
- Rritet besueshmëria ndaj tregut të sigurimeve. Aktualisht, nëse një kompani zgjat procedurat, bën vlerësime të pasakta dhe vonon në pagimin e dëmshpërblimit, atëherë kjo ndikon negativisht për të gjithë tregun e sigurimeve.
- Nëse çdo kompani sigurimi do të trajtonte klientin e tij me shpejtësi dhe cilësi, kjo do të ndikonte në rritjen e besueshmërisë në treg dhe klientët do të ofroheshin edhe për siguracione vullnetare (shëndet apo pronë).
- Bëhet një vlerësim më i drejtë për dëmin e shkaktuar, pasi për dëme të rëndësishme ekspertiza mund të kryhet nga ekspertë të dy kompanive (përgjegjëse dhe shkaktare).
- Krijon kushte kushte pozitive për rritjen e tregut të sigurimeve vullnetare, duke rritur besueshmërinë ndaj tregut të sigurimeve në përgjithësi.
Konsolidimi i tregut të sigurimeve në Shqipëri
Tregu i sigurimeve në Shqipëri tashmë është mjaft i konsoliduar dhe i ofron qytetarëve çdo produkt Sigurimi që ofrojnë kompanitë simotra në Europë.
Kjo u vërtuetua edhe pas tërmeteve të vitit 2019 ku tregu i sigurimeve ju gjend pranë të gjithë të dëmtuarve duke i vlerësuar dëmet e shkaktuara dhe duke i likuiduar në kohë rekord.
Vlera monetare e dëmeve të paguara vetëm në atë periudhë kalon shifrën e 40 milionë eurove, gjë që tregon konsolidimin dhe gatishmërinë e likuiditetit të tregut të sigurimeve në Shqipëri ku operojnë ndër kompanitë më serioze në vend.
Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim kanë dhënë edhe kompanitë më të mëdha të sigurimeve në Austri dhe ndër më të mëdhatë në Europë, “UNIQA Insurance Group” dhe “Vienna Insurance Group”, prezente në tregun shqiptar prej shumë vitesh tashmë.
Shpenzimet më të ulëta në rajon dhe Europë për sigurime
Sipas ekspertëve, edhe pse i shëndetshëm, arsyet pse tregu i sigurimeve nuk tërheq shumë investitorë të rinj duhen parë, në radhë të parë nga madhësia e tij modeste dhe shpenzimet e ulëta për t’u siguruar, në terma mesatarë.
Me një prim mesatar sigurimi prej afërsisht 62 eurosh për frymë, Shqipëria ngelet një ndër tregjet me densitetin më të ulët të sigurimeve në Europë.
Në Europë, vetëm Moldavia e kishte këtë tregues më të ulët, me rreth 37 euro për frymë.
Shqipëria mbetet mbrapa në densitetin e sigurimeve në popullsi edhe krahasuar me vendet fqinje të Ballkanit Perëndimor. Maqedonia e Veriut, rreth 89 euro për frymë, Bosnjë-Hercegovina, 127 euro për frymë, Serbia 145 euro për frymë dhe Mali i Zi, 159 euro për frymë.
Për krahasim, në vendet e Bashkimit Europian, primi mesatar i sigurimit për frymë është afër nivelit të 2100 eurove, ose 38 herë më shumë se Shqipëria.