Rajoni i Mesdheut po i ndjen gjithmonë e më fort pasojat e ndryshimit të klimës. Vendet e tij po preken gjithmonë e më shumë nga valët e të nxehtit, periudhat e thatësirës dhe zjarret e pyjeve. Kjo do të ketë pasoja për turizmin.
Për momentin, pavarësisht arrjeve pyjore, valëve të njëpasnjëshme të të nxehtit me temperature që kapërcejnë 40 gradët Celsius dhe periudha thatësire, turizmi shënon ende shifra rekord edhe këtë vit në vendet e pushimeve si Spanjë, Greqi dhe Itali.
Në Itali pritet që këtë vit shifrat e turizmit të arrijnë nivele rekord. Në Spanjë hotelet janë mbushur si gjithnjë.
Sipas të dhënave të Shoqatës Gjermane të Udhëtimeve, edhe këtë vit vendet mesdhetare janë destinacionet më të kërkuara nga gjermanët.
Parashikimet e fundit të “European Travel Commission”, Komisionit Europian të Udhëtimeve, tregojnë se Franca, Italia dhe Spanja vazhdojnë të jenë vendet më të preferuara europiane për turizëm.
Greqia dhe Kroacia pasojnë duke zenë vendin e pestë dhe të gjashtë.
Megjithatë ekspertët janë të një mendjeje se pasojat e ndryshimit të klimës do të prekin edhe turizmin e vendeve mesdhetare.
Ndryshimet, sipas tyre, do të jenë graduale. Autorët e një studimi të Komisionit të BE-së, botuar së fundmi, thonë se rajonet jugore “do të nisin të përballen ngadalë me rënie të turizmit”.
Atrakiviteti i Europës Juglindore si rajon turistik do të bjerë gjatë periudhës së verës. Ndërsa Europa Veriore dhe e Mesme mund të përfitojnë nga ndryshimi i klimës duke rritur forcën tërheqëse për turistët.