Nëse ju pëlqen të vizitoni një vend të ri, atëherë është koha të njihni Shqipërinë, i kthyer në një destinacion që s’duhet humbur.
Një tokë e mbushur plot surpriza dhe e aftë për të mahnitur edhe turistin më skeptik.
Bukuritë e rralla natyrore vinë të gërshetuara me trashëgiminë kulturore dhe atë historike të trashëguar nga paraardhësit tanë. Të gjitha këto shoqërohen nga tradita mikpritëse e shqiptarëve, një vlerë kjo e njohur brez pas brezi.
Nëse jeni gati, por edhe nëse keni ende dyshime, turistë të huaj por edhe vendas ju paraqesim vendet turistike që do t’iu impresionojnë dhe që duhet ti vizitoni të paktën 1 herë:
Gryka e Valbonës
Në veri të vendit nuk duhet lënë pa vizituar Lugina e Valbonës në Tropojë.
Në bujtinat e Valbonës, ndërtesa kryesisht dykatëshe të stilit tradicional me çati të pjerrëta e në të rrallë edhe me tjegulla, vizitorët gjejnë ushqim tradicional, shtrojë e mbulojë, si dhe zjarr për t’u ngrohur.
Rruga deri në Valbonë është një mrekulli më vete.
Lundrimi me tragetin Fierzë-Koman paraqet një atraksion të vërtetë turistik për këdo që viziton Tropojën.
Gjiri i Gramës
Gjiri i Gramës në Gadishulli i Karaburunit i njohur si Gjiri i Grammatas, ndodhet në rrëzë të shpatit perëndimor, shumë të thiktë të tij në Orikumin e afërt.
Gjiri i Gramës ka shërbyer si një vend strehimi për anijet që gjendeshin në vështirësi përgjatë këtij bregdeti të rrezikshëm.
Ky gji ka shërbyer fillimisht si zonë e shfrytëzimit të gurit lokal, në gurore të mëdha, gjurmët e të cilave duken edhe sot në të dy shpatet.
Emri i Gramës është i lidhur në mënyrë të qartë me mbishkrimet e gdhendura që në antikitet, ku numërohen me shumë se 1500 të tilla.
Kullat e Thethit
Kulla e Ngujimit ndërtuar në Theth, Dukagjin është tipike e kësaj zone. Një fortesë e ndërtuar në fund të fshatit dhe që përdorej nga i gjithë fshati për ngujimin nga gjaksi.
Ishte banesa e atyre familjeve që për arsye gjakmarrje detyroheshin të mbylleshin aty (gjithë meshkujt mbi moshën 14 vjeç). Vetëm gratë e shtëpisë ishin të lira të dilnin e të punonin pak tokë para kullës.
Sot kulla është e vizitueshme dhe ndodhet në një zonë me vlera të medha turistike.
Gjendet në jug të fshatit Theth dhe shumë pranë të lumit të Shalës.
Liqeni i Pogradecit
Korani, mjelmat dhe lulet….e pastaj vargjet lasgushiane! Mjafton të përmendësh këto fjalë kyce dhe kuptohet se fjala është për një nga mrekullitë e natyrës në vendin tonë, liqeni i Ohrit, syri shpirti dhe jeta e Pogradecit.
Liqeni i Ohrit është tepër i famshëm në Europë dhe Botë për nga vjetërsia, thellësia dhe specien e rrallë, peshkun koran që rritet në ujrat ngjyrë smeraldi. Mosha e tij llogaritet të jetë 2 deri më 5 milionë vjet.
Gadishulli i Karaburunit
Gadishulli i Karaburunit është ajo pjesë e bregdetit vlonjat, ku turizmi mund të gjejë terrenin më të përshtatshëm për t’u zhvilluar. 25 km larg qytetit të Vlorës, në rrugë tokësore, Gadishulli i Karaburunit ofron surpriza në çdo stinë për këdo që e viziton atë.
Agjenci turistike aplikojnë jo vetëm udhëtime përgjatë këtij masivi, por edhe pushime njëditore, në plazhet që ndodhen aty.
Ujëvara e Grunasit, Theth
Një ndër bukuritë natyrore më të veçanta në alpet Shqiptare është dhe ujëvara e Grunasit e cila është shpallur monument natyre që mbrohet nga shteti. Ujëvara e Grunasit me trupin e saj te hollë me mbi 30 metër të larte së bashku me cirqet përreth dhe Mullirin e Blojës, formojne një nga vendet më interesante për t’u vizituar nga çdo turist që viziton Thethin. Ujëvara e Thethit ka si karakeristikë të veçantë faktin që uji i saj buron i gjithi nga një shkëmb dhe është ujë dëbore. Për alpinistët që mund të vizitojnë burimin është një mrekulli e veçantë që nuk gjendet në asnjë ujvarë të Europës.
Apolonia, “Qyteti i Diellit”
Dikur këtu niste një nga rrugët më të rëndësishme që lidhte Perëndimin me Lindjen, apo Romën me Kostandinopolisin.
Apolonia është qyteti antik në Shqipëri ndër më të mëdhenjtë në pellgun e Adriatikut dhe më i përmenduri ndër 30 qytetet e tjera, me të njëjtin emër, të kohës antike.
Apollonia është një nga qëndrat më të mëdha arkeologjike të Shqipërisë. Dëshmitë e shkruara dëshmojnë se qyteti antik Ilir është ndërtuar në vitet e para të shekullit të VI-te p.k viti 588 nga kolonistë të ardhur nga Korinthi dhe Korkyra, pas themelimit të Epidamit – Dyrrahut. Më parë në këtë zonë ishte një vendbanim Ilir, me ardhjen e kolonive qyteti mori emrin Apolloni për nder të të perëndisë Apollon.
Plazhi i Ksamilit
Ksamili përfaqëson një prej vendpushimeve bregdetare më të frekuentara gjatë verës. Qyteza e vendosur në skajin jugor të vendit ofron plazhe të vogla e të pastra, ndër më të bukurat e bregdetit Jonian. Shumë vizitorë e përzgjedhin Ksamilin për magjinë e ishujve dhe qetësinë. Plazhet e vendosura vetëm pak km në jug të qytetit të Sarandës dhe shumë pranë Parkut Kombëtar të Butrintit i lejojnë pushuesve akses të lehtë për këto dy destinacione të jetës së mbrëmjes dhe turizmit kulturor.
Parku Kombëtar i Butrintit
Qyteti antik i Butrintit u shpall për herë të parë monument kulture më 1948; më 1999 u regjistrua në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s; më 2003 kompleksi ligatinor, përfshirë dhe pjesën e lagunës dhe zonën bregdetare të Butrintit – Kepin e Stillos – u shpallën Zonë Ramsar dhe Park Kombëtar (Kategoria II e IUNC-it për Kategorinë e Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura).
Butrinti, një zonë prej 2900 ha, përfshin peisazhe me rëndësi kulturore dhe arkeologjike.
Qyteti historik i Krujës
Kruja është një nga qytetet më me histori nga të gjitha ato shqiptare. Ajo karakterizohet jo vetëm për gjeografinë e veçantë, kalanë mbresëlënëse por dhe shumë tradita të përcjella brez pas brezi. Historia që u thurr në qytetin e lashtë na bën të ndihemi krenar sa herë që e vizitojmë. Duke mos harruar betejat e Skënderbeut, folklorin e shumë tradita krutane. Kruja njihet ndryshe edhe si “qyteti i bardhë” dhe ka një lartësi gjeografike prej mbi 600 metrash mbi nivelin e detit dhe kur koha është e kthjellët e pa re prej maleve të këtij qyteti mund të shihet bregdeti Adriatik i Durrësit.
Shpellat, Shqipëria e jugut
Një tjetër shpellë e Karaburunit është edhe ajo e quajtur e Inglizit. Gjatë viteve të Luftës së II-të Botërore kur SOE, Drejtoria e Operacioneve të Posaçme me qendër në Kajro, krijoi një bazë detare për misionet e saj që vepronin në Shqipëri për të mbështetur rezistencën antifashiste.
“Inglez” është shqiptimi që dukatasit e asaj kohe i bënë fjalës “Anglez”, dhe prej asaj kohe shpella mban këtë emër.
Shpella e Piratëve
Ky objekt natyror, sipas gjeografëve vlonjatë, është shpella më e madhe detare e vendit, me xhepa të shumtë brenda saj. Për eksploruesit e natyrës, në Gadishullin e Karaburunit, ndodhet Shpella e Haxhi Alisë, detarit të njohur të Mesjetës së Vonë, i cili kishte ngritur në këtë shpellë portin për flotën e tij.
Ndodhet në Karaburun, midis kepave të Gjuhëzës dhe Golovecit.
Fshati Dardhë
20 kilometra në juglindje të Korçës, në një lartësi gjeografike impresionuese mbi 1300 m, që vetvetiu e çon përfytyrimin te dimri i gjtë me borë, te pranverat e ndezura nga blerimi, te verat e puhizave që vijnë nga pyjet, te vjeshta me palete piktorike prej ylberi, ndodhet ky margaritar.
Me kalimin e shekujve, banorët e Dardhës ndërtuan një fshat që në fillim të shekullit të 20 kishte mbi 400 shtëpi. Shtëpitë prej guri me çati me rasa janë tipari dallues i fshatit. Dhe shtëpitë shpesh janë vila dykatëshe të ndërtuara më së miri me kopshte të mrekullueshme të mbushura me lule.
Kalaja e Petrelës
Kjo kala ndodhet në rrugën nacionale Tiranë – Elbasan, 18 km larg nga kryeqyteti. Ngrihet mbi një kodër shkëmbore sipër fshatit me të njëjtin emër.
Ndërtimi i parë i saj i përket periudhës së antikitetit, ndërsa forma e sotme i daton shekullit të XV. Kalaja e Petrelës nga zbulimet e bëra, është kala mesjetare e ndërtuar në kohën e sundimit të Perandorit Bizantin Justianit të I, në shekullin e VI pas Krishtit.
Është kala e ngritur mbi një terren me shpate mjaft të pjerrëta, madje nga ana jugore dhe juglindore të thepisura, të cilat e kanë bërë kalanë shumë të mbrojtur. Ajo u ngrit në momentin kur Kalaja e Vilës, kala antike, e cila ndodhet përballë Kalasë së Petrelës, e humbi rëndësinë e saj. Ajo u ngrit kryesisht për qëllime ushtarake.
Berati
Njihet si “qyteti i një mbi një dritareve” dhe është shpallur një qytet muze. Ndodhet në shpatin e malit të Tomorrit ku ngrihet kalaja.
Brenda mureve të kalasë ndodhen shtëpitë e banimit dhe “Muzeu i Onufrit”. Pikturat dhe ikonat e piktorit të madh shqiptar janë të ekspozuara atje. Pjesa e vjetër e qytetit ka disa ndërtesa fetare si kisha dhe xhamia.
Ai është një qytet 2400-vjeçar si dhe është anëtar i Trashëgimisë Kulturore Botërore (UNESCO).
Syri i Kaltër, Sarandë
Nga thellësia e tunelit, përmes të cilit uji del në sipërfaqe, burimi merr ngjyrën blu, që i ngjan bebes së syrit. Po sa fillon rrjedhën, ngjyra fillon e çelet drejt së kaltrës. Bimësia që rrethon Syrin në pjesën e lartme të tij i ngjan më shumë qerpikëve, ndaj me të drejtë është quajtur “Syri i Kaltër”.
Ai është burimi më i madh dhe më interesant ndër 18 burimet që shpërthejnë rrëzë malit të Gjerë. Sot gëzon statusin e monumentit të natyrës.
Thellësia e tij është tepër e madhe, arrin deri në 45 metra. Ai ndodhet përballë fshatit Krongj, 45 metra nën nivelin e luginës së Drinos. Syri i Kaltër është burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm.
Kanionet e Osumit, Skrapar
Skrapari mund të quhet edhe rrethi i kanioneve madhështore. Në të gjenden dy kanione të mëdha, të dy monumente natyre, midis tyre kanioni i Osumit, më i madhi në gjithë Shqipërinë, që me të drejtë është quajtur “Koloradoja e Shqipërisë”. Ai gjendet në sektorin Çorovodë – Hambull të luginës së Osumit, është rreth 13 km i gjatë, nga 4 deri në 35 m i gjerë, i thellë deri në 70-80 m, me shpate vertikale, përfund të cilëve rrjedh “lozonjar” Osumi, duke u “mburrur” me krijesën e vetë.
Parku Kombëtar i Llogarasë
Parku i Llogorasë gjendet afro 40 km në juglindje të qytetit të Vlorës, në kufirin hapsinor midis detit Adriatik dhe Jon.
Pisha Flamur gjendet në parkun Kombëtar të Llogarasë, pak më në veri të qafës me të njejtin emër, 910 m mbi nivelin e detit. Ka formën e flamurit si rezultat i veprimit të erërave të forta të juglindjes. Ky monument ka vlera shkencore, biologjike, estetike dhe turistike.
LEXO EDHE: Fluks hyrjesh në Portin e Durrësit/ Siguracionet që ju nevojiten në Shqipëri