Rënia e yield-eve të borxhit të qeverisë në muajt e fundit do të sjellë një rritje të kërkesës për kredi.
Kështu ka paralajmëruar ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, duke shtuar se normat e ulëta në bonot e thesarit do të rrisin kredinë konsumatore dhe për investime, e kundërta e sjelljes që ndodhi kur yield-et e titujve u rritën.
Në konferencën mujore për ekonominë, Ibrahimaj tha se kërkesa për tituj nga individët është rritur me 1.8 herë gjatë vitit 2023.
Më tej, ajo foli pak për ndryshimet në taksën e pronës, ku tregoi se ndryshimi i vetëm do të jetë ai i referimit në vlerën e tregut për të taksuar pronën, që pritet të implementohet në vitin 2026.
“Për përfshirjen e tokës bujqësore nuk kemi ende një draft, por po konsultohemi dhe po marrim ekspertiza nga ekspertët”, tha ministrja Ibrahimaj teksa shtoi se do të ketë ndryshime dhe në tatimin mbi të ardhurat personale.
Ajo njoftoi se taksat e lartpërmendura, janë pjesë e Strategjisë Afatmesme të të Ardhura, që do të publikohet shumë shpejt në bashkëpunim me FMN-në.
Ministrja tregoi dhe efektin në buxhet të rritjes së pagave për administratën dhe funksionarët politikë.
“Ne sigurisht kemi kalkuluar rritjen e pagave. Për 2023-shin pritet 8 mld lekë, për vitin 2024-ën 11 mld lekë dhe nga viti 2025 e tutje, në vit efekti do të jetë 39 mld lekë. Diferenca sigurisht është e madhe nga rritja e administratës tek anëtarët e Kuvendit”, theksoi Ibrahimaj.
Më tej, ajo prezantoi ecurinë ekonomike sipas sektorëve gjatë 2023-shit.
Për tre mujorin e parë të vitit 2023, rritja ekonomike në vend ishte me 2.72%. Rezultoi që rritja 2.7% ishte me e lartë se Maqedonia e Veriut e se Serbia.
“Janë 2.4 milionë qytetarë të huaj që kanë vizituar Shqipërinë në 5 mujorin e fundit. Numri i shtetasve të huaj të futur në Shqipëri është rritur me 42.5 %. 700 mijë më shumë se vitin e kaluar. Qarkullimi vjetor në sektorin e turizimit për 5 mujorin e 2023 ka rezultuar në rritje me 10.7% dhe të punësuarit janë rritur me 11.5%. Presim që turizmi të vijojë që të ketë një performancë pozitivë. Energjia elektrike është rritur me 38.6%. Konsumi i popullatës po ashtu ka qenë me rritje. Kryefjala e vitit të kaluar ka qenë inflacioni, dhe do vazhdojë të jetë, ku në muaj maj rezultoi 4.7%. Komponenti kryesor i rritjes ka qene inflacioni i ushqimeve dhe pijeve, i cili ka dhe peshën kryesore të shportës. Aktiviteti lidhur me turizmin ka pasur një rritje me 7.2% dhe të dhënat tregojnë një rritje pozitive, numri i turistëve ka qenë 2.4 milion të huaj në vend. Kjo tregon se politikat tona për nxitjen e turizmit kanë pasur efektin e duhur, turizmi ka filluar të jetë një dukuri e shpërndarë gjatë gjithë vitit“, tha Ibrahimaj.
Të punësuarit në këtë sektor është rritur me 11.2%, ne presim që për tremujorin e dytë turizmi të vijojë të ketë performancë pozitive, kjo tregon dhe nga të ardhurat e lidhura me turizmin, ka arritur në nivelin e 189.5 milion euro.
Ministrja e Financave shpjegoi edhe pse ndodhi forcimi i lekut.
“Të gjitha elementët që përmenda duke iu referuar investimet direkte, remitancat dhe turizmin lidhin me shqetësimin kryesor të kohëve të fundit që ka ardhur nga disa aktivitete të biznesit në vend, ecuria e kursit të këmbimit.
Rritja a forcimi i lekut ndaj euros vjen sipasojë e strukturës së ekonomisë dhe performancës sidomos me forcimin e eksporteve, eksporteve të shërbimeve të lidhura me turizmin por dhe rritjen e investimeve të huaja direkte që kanë sjellë kapitale në valutë të cilat kanë ndikuar në forcimin e kursit të këmbimit.
Kjo dukuri vjen si pasojë dhe regjimit të kursit të këmbimit që ne kemi. Ky regjim ka ndikuar pozitivisht në absorbimin e goditjeve që ekonomia shqiptare dhe globale ka pësuar. Një prej elementeve që ka mbajtur inflacionin me norma të kontrolluara veç politikave të qeverisë ka qenë kursi fleksibël i këmbimit që ka lejuar që inflacioni i importuar i cili përbën pjesën më të madhe të inflacionit vendas të ketë një ndikim më të ulët nga ai që do të kishte po të kishim një kurs këmbimi të fiksuar” , përfundoi ajo.