Për emisionin “SportZone” në MCN TV, presidenti i FSHB, Avni Ponari, u shpreh se në vitin 2021, basketbolli ka pasur rezultatet shumë të mira.
Ai është ndalur te krijimi i Ligës Unike, që sipas tij u arrit pas shumë përpjekjesh dhe shton se është krenar që ishte pjesë e personave që e krijuan këtë.
Ponari thotë se do të ishte mirë që si me Ligën Unike në basketboll, të kishte diçka të njëjtë edhe në futboll.
“Basketbolli këtë vit, ka pasur rezultate shumë të mira dhe ka qenë në një nivel më të mirë sesa përpara. Kaloi një vit i rëndësishëm. Ne arritëm të zhvillojmë mbi 500 ndeshje. Ky lloj angazhimi është shumë i madh. Liga Unike është një krijim interesant. Basketbolli hapi siparin për këtë aktivitet të përbashkët me Kosovën.
Liga Unike është krijimi pas shumë përpjekjesh, pas shumë luftërash që iu bë dy federatave për të mos u organizuar. Liga Unike tani ka marrë formë. Në Kosovë na duan më shumë dhe e duan basketbollin më shumë.
Sot ndihem shumë krenar, që kam marrë pjesë në krijimin e Ligës Unike. Shumë u përpoqën që kjo Ligë të mos organizohej. Përfitues të kësaj lige mjaft interesante janë lojtarët, pasi kanë rritur nivelin dhe cilësinë, janë arbitrat por edhe trajnerët. Kemi krijuar një shkollë për basketbollin.
Ne patëm fatin që në ceremoninë e Ligës Unike, të kishim pjesëmarrës presidentin e FIBA për Europën, por edhe qeveritarët. Mund të ketë pasur edhe njerëz skeptikë, të cilët e quajnë se nuk është diçka e rëndësishme. Ky aktivitet do të ecë dhe do të ketë mbështetje të sportdashësve në Shqipëri dhe Kosovë. Do ishte interesante që diçka e tillë të ndodhte edhe në futboll. Pjesëmarrja në liga interesante, do të rriste nivelin e skuadrave.”, deklaroi Ponari.
Intervista e plotë: