Epidemiologu Ilir Alimehmeti thotë se varianti i ri i Covid-19, “Omicron” nuk paraqet të njëjtin rrezik si mutacioni “Delta”.
Edhe pse deri tani nuk dihet shumë për të, Alimehmeti shprehet se me kaq të dhëna sa kanë ekspertët, vlerësohet se nuk paraqitet i rrezikshëm.
“Omicron a do ta spostojë Deltan? Ky vetë sa rrezikshmëri ka? Nëse do ndodhë që të vijë në vendin tonë, hipoteza më e mirë është të spostojë Deltën dhe të vendoset Omicroni, dhe të shkojë drejt formave të lehta. Më e keqja është që Omicroni nuk paraqitet dot, nuk e mund dot Deltan dhe kësisoj do të qëndrojë Delta. Delta e mund Omicron dhe do jemi në të njëjtën situatë derisa ta largojmë vetë.
Zonat e goditura fort më parë nga pandemia, janë jashtë fokusit, Lombardia, New York, Brazili dhe ky është një lajm i mirë, që ka një fund kjo gjë, por kjo s’duhet të arrihet përmes imunitetit natyror, por përmes imunitetit me vaksinë, sepse përndryshe rrezikojmë humbje jete”, shtoi ai.
Ndër të tjera epidemiologu tha se personat e vaksinuar paraqiten në spitale shumë më pak se të pa vaksinuarit.
“Sot për sot ne nuk gjejmë bazë shkencore për ta thënë se sa herë del një mutacion i ri të shtojmë një dozë vaksine. Të gjitha studimet bazohen mbi antitrupat, mbi asgjë tjetër. Antitrupat janë një prej komponentëve të imunitetit natyror. Dimë që personat e vaksinuar paraqiten në spital shumë më pak se personat e pa vaksinuar”, tha më tej.
Sipas Alimehmetit shumica e të shtruarve në spitale janë nga rrethet.
“Shumica e pacientëve të shtruar në spital janë nga rrethet. 20% janë nga Tirana. Pacientët nga qytetet e tjera neglizhojnë simptomat për shkak të distancës. 99% e rasteve në botë janë Delta. Në Europë kemi Deltën. Delta dominon. Omicron është një variant i radhës. Më e rëndësishme është nëse ka ndonjë klinikë më të rëndë. Provat deri tani tregojnë që jo. Mungojnë ende provat e vërteta. Ne shohim në diferencë nga Delta, një përqindje e lartë e atyre që preken nga Omicron janë asimptomatik. Mbyllja nuk kishte asnjë vlerë”, shtoi ai. /ABCNews