15.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetKëshilli Mbikëqyrës i BSH miraton nesër sistemin e pagesave në euro, mund...

Këshilli Mbikëqyrës i BSH miraton nesër sistemin e pagesave në euro, mund të fillojë punë që në janar

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë pritet të miratojë në mbledhjen e ditës së nesërme (e mërkurë, 22 dhjetor) rregulloren “Për funksionimin e sistemit AIPS euro për shlyerjen e transfertave vendase për klientë në euro”.

Rregullorja në fjalë krijon bazën ligjore për funksionimin e një sistemi kombëtar të pagesave në monedhën europiane.

Pasi konsultimit me palët e interesit dhe kryesisht me bankat tregtare, Banka e Shqipërisë synon ta bëjë operativ sistemin e pagesave në euro në një kohë të shpejtë.

Sipas burimeve nga ky institucion, objektivi është që sistemi i pagesave në euro të fillojë punë qysh në mesin e muajit janar. Ngritja e një sistemi të tillë ka rëndësi shumë të madhe për kryerjen e transfertave ndërbankare në euro. Aktualisht, transfertat në euro mund të bëhen vetëm përmes llogarive që bankat shqiptare kanë në banka korrespondente jashtë vendit. Kjo krijon një lloj paradoksi, sepse për të transferuar euro mes dy bankave që fizikisht mund të jenë pak metra larg njëra-tjetrës transaksioni duhet të kalojë nga Frankfurti, Vjena apo Milano.

Shlyerja e transfertës jashtë vendit shkakton vonesa në kohë dhe, mbi të gjitha, kosto shumë më të larta krahasuar me transfertat në lekë. Nëse një transfertë ndërbankare në monedhën lek brenda vendit sot kushton maksimalisht 1500 lekë, transfertat në euro kanë komisione që mund të arrijnë në disa qindra euro, në varësi të bankave korrespondente të përfshira dhe nga komisionet që ato aplikojnë.

Projektrregullorja që pritet të miratohet të mërkurën parashikon se për pagesat në nisje të urdhëruara nga klientë të pjesëmarrësve dhe që transferohen nëpërmjet sistemit AIPS EURO, me vlerë më të vogël ose të barabartë me 10 mijë euro, komisioni i aplikuar nga banka nuk duhet të jenë më i lartë se 0.2% e vlerës së transferuar, ndërsa komisioni dysheme nuk mund të jetë më i lartë se 6 euro.

Për pagesat që janë të iniciuara në formë elektronike, totali i komisioneve të aplikuara nga pjesëmarrësi origjinues për çdo urdhërpagesë nuk duhet të jetë më i lartë se 50% e totalit të komisioneve të aplikuara për çdo pagesë të iniciuar në formë jo elektronike. Kjo nënkupton aplikimin e një komisioni dysheme jo më të lartë se 3 euro dhe të komisioneve totale jo më të larta se 0.1% e vlerës së transferuar.

Në total, për pagesat në nisje të urdhëruara nga klientët nëpërmjet sistemit AIPS EURO, komisioni i aplikuar nuk duhet të jetë më i lartë se 50 Euro, pavarësisht nga shuma.

Rregullorja parashikon gjithashtu se për transfertat e kryera përmes këtij sistemi në asnjë rast nuk duhet të aplikohen komisione për fondet në mbërritje.

Me miratimin e rregullores së re, përdorimi i këtij sistemi do të bëhet i detyrueshme për të gjitha bankat tregtare në Shqipëri.

Ulja e kostove për transfertat në euro pritet të ndikojë ndjeshëm në pakësimin e veprimeve cash me euron, në rastet e zhvendosjes së fondeve nga njëra bankë te tjetra. /Monitor

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat