Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor risjellë në kujtesë kategoritë që përfitojnë nga përjashtimi i taksa vjetore të mjeteve.
DPSHTRR deklaron se kategoritë që përfitojnë nga ky shërbim publik social janë, invalidët e punës, personat e verbër, të sëmurë paraplegjikë dhe tetraplegjikë si dhe personat me aftësi të kufizuara.
Në njoftimin për mediet sqarohet se veprimet njihen vetëm kur bëhen në emër të qytetarit me status “invalid” dhe duhet që mjeti të jetë deri në 4+1 vende dhe me cilindratë jo më shumë se 2500 kubikë si dhe dosja e mjetit, e qytetarit me status “invalid” dhe dosja e invaliditetit e tij duhet të jenë në Rajonalen ku ka vendbanimin qytetari me këtë status sipas Gjendjes Civile.
Gjithashtu, kategoritë që përfitojnë nga përjashtimi i taksave vjetore të mjeteve duhet të jenë të pajisur me librezën e invaliditetit, vërtetim të KMCAP-it nga e-Albania ose vërtetimin origjinal/i noterizuar lëshuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore për periudhën përkatëse të invaliditetit, vendimin e Komisionit të Përcaktimit të Verbërisë, vërtetimin që nuk zhvillon aktivitet privat si dhe dokument identifikimi i personit me status “invalid” që ka në pronësi mjetin.