11.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetJanar-Tetor 2021/ Kredia e re në euro u rrit me 35%

Janar-Tetor 2021/ Kredia e re në euro u rrit me 35%

Kreditimi në euro është në rritje të ndjeshme gjatë këtij viti.

Mbështetur në statistikat e Bankës së Shqipërisë, për 10 muajt e parë të këtij viti sektori bankar ka disbursuar 715 milionë euro kredi të reja, në rritje me 35% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Vlera e kredisë së për periudhën 10 mujore është njëkohësisht më e larta e regjistruar në të paktën gjashtë vitet e fundit. Megjithëse në vitet e fundit është vërejtur një rritje e ndjeshme e peshës së monedhës kombëtare në kreditimin e ekonomisë, shifrat tregojnë se deeuroizimi i portofolit të kredisë është ende larg. Rreth 47% e kredisë së re në euro të dhënë këtë vit ka pasur një maturitet afatgjatë, me më shumë se 5 vjet.

Të njëjtën periudhë të një viti më parë kredia e re afatgjatë në euro zinte një peshë më të ulët, me rreth 40% të totalit. Kjo tregon se në një masë të madhe rritja e kredisë në euro po nxitet nga kreditimi për financimin e investimeve dhe sidomos të blerjes apo ndërtimit të pasurive të paluajtshme, si nga individët, ashtu edhe bizneset.

Në vitet e fundit, kredia për blerjen e pasurive të paluajtshme po rritet me ritme të larta, falës ofertës së lartë të bankave, por edhe kërkesës në rritje, të nxitur nga rritja e çmimit të pronave.

Rritja e depozitave në euro ka rritur disponibilitetin e fondeve të sektorit të monedhën europiane. Megjithëse bankat në vitet e fundit po përpiqen të aplikojnë politika më të shtrënguara për kredinë e ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, euro vazhdon të jetë valutë e preferuar kur bëhet fjalë për të financuar blerjen e pronave.

Arsyeja kryesore është sepse normat e interesit për kredinë në euro ngelen më të ulëta krahasuar me kredinë në lekë. Por, edhe fakti që çmimet e pasurive të paluajtshme në Shqipëri kuotohen kryesisht në euro është një element që tenton të shtyjë drejt monedhës europiane edhe përzgjedhjen e valutës për financimin e blerjes së një prone.

Rreziku kryesor i lidhur me huadhënien në euro është ai i kursit të këmbimit, duke qenë se shumica e huamarrësve, sidomos në segmentin e individëve, i sigurojnë të ardhurat e tyre në monedhën vendase. Por, në fakt, kredia e ekspozuar ndaj kursit të këmbimit zë më pak se gjysmën e portofolit total të kredisë në valutë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, vetëm 41% e kredisë në valutë të huaj ishte e pambrojtur ndaj rrezikut të kursit të këmbimit. Kjo ndodh sepse shumë huamarrës, sidomos biznese, gjenerojnë të ardhura në valutë të huaj. Kjo vlen sidomos për eksportuesit, por edhe për shumë sipërmarrje që i shesin produktet apo shërbimet e tyre në euro, siç mund të jenë bizneset e ndërtimit, të sektorit të hotelerisë, etj.

Cilësia e kredisë në valutë e pambrojtur nga luhatjet në kursin e këmbimit është përmirësuar dukshëm në vitet e fundit.

Në mesin e vitit 2021 raporti i kredive me probleme për këtë segment të kredisë ra në 6.2% në fund të qershorit 2021, në krahasim me 7.1% në dhjetor 2020 dhe 7.9% në qershor 2020.

Në analizën për ecurinë e treguesve të euroizimit të sektorit bankar, Banka e Shqipërisë konstatonte se kreditë në valutë të huaj përbënin rreth 49.9% të portofolit total të kredisë, vlerë kjo 2.8 pikë përqindje më e ulët se një vit më parë.

Megjithatë, kjo është ndikuar sidomos nga rënia e kredisë në dollarë amerikanë, ndërsa dhënat paralele tregojnë se kredia në euro këtë vit është rritur ndjeshëm. /E.Shehu, Monitor 

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat