Banka Kombëtare Tregtare (BKT) kryesoi tregun e letrave të borxhit të qeverisë shqiptare edhe vitin e kaluar.
Të dhënat nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se në fund të vitit të kaluar BKT kishte investime në vlerën e 143 miliardë lekëve në titujt qeveritarë. Kjo shumë përbënte 29.9% të investimeve të sektorit bankar në tituj dhe afërsisht 20.3% të stokut të borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare.
BKT ka një diferencë të ndjeshme me bankat e tjera në tregun e letrave me vlerë të qeverisë, edhe falë disponibilitetit të lartë të fondeve krahasuar me bankat e tjera.
Në fund të vitit të kaluar, BKT zotëronte 25.8% të totalit të depozitave bankare.
Në vend të dytë renditet Raiffeisen Bank, me një portofol prej 67.9 miliardë lekësh ose sa rreth 14.2% e totalit. Dikur financuesi kryesor i borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare, Raiffeisen nisi uljen e ekspozimeve në këto instrumente afërsisht një dekadë më parë. Ky vendim u diktua nga grupi bankar zotërues, për shkak të vështrësive për shkak të rritjes së kërkesave për kapital në mbulim të aktiveve që grupi zotëronte në tregjet jashtë Eurozonës.
Megjithatë, në vitet e fundit Raiffeisen i është kthyer rritjes së investimit në këto instrumente. Vlera e portofolit të titujve të qeverisë shqiptare vitin e kaluar u rrit me 7.6%.
Në fund të vitit 2022, Raiffeisen Bank Shqipëri zotëronte rreth 9.6% të portofolit total të borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare.
Banka e tretë me pjesën më të lartë të tregut të titujve qeveritarë renditet Intesa Sanpaolo, me një portofol prej 66.2 miliardë lekësh ose 13.8% të totalit të investuar nga sektori bankar në këto instrumente. E matur si peshë ndaj totalit të borxhit të brendshëm, përllogaritet se Intesa Sanpaolo në fund të vitit të kaluar financonte rreth 9.4% të borxhit të brendshëm publik.
Vijon Credins Bank, që në fund të vitit të kaluar zotëronte rreth 10.9% të ekspozimeve të sektorit bankar në tituj të qeverisë shqiptare, për një vlerë totale prej rreth 52.2 miliardë lekësh.
Deri para pak vitesh një bankë e fokusuar në pjesën dërrmuese te kreditë për sektorin privat, Credins gradualisht ka rritur peshën e investimeve në tituj, me qëllim diversifikimin e strukturës së aktiveve në bilancin e vet.
Pjesa e mbetur e investimeve të bankave tregtare në tituj të qeverisë shqiptare ndahet mes ABI Bank, me 10% të totalit, OTP Bank Albania, me 6.7%, Tirana Bank, me 6%, Union Bank, me 5.6%, Fibank, me 2.5% dhe Procredit Bank, me 0.6%.
Banka e Bashkuar e Shqipërisë nuk ka investime në këto instrumente.
Sektori bankar është financuesi kryesor i borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare. Në total, në fund të vitit të kaluar, sektori bankar zotëronte gjithsej rreth 67.8% të stokut të borxhit të brendshëm, me një vlerë totale prej 479 miliardë lekësh.
Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave
LEXO EDHE: Përse një Fond Pensioni Privat?