Një ndër burimet kryesore të financimit të ekonomisë, por edhe tregut vendas me euro janë investimet e huaja. Të domosdoshme për të krijuar vende pune, por edhe për të zhvilluar tregun dhe rritur konkurrencën.
Për shkak të të gjitha këtyre përfitimeve, në rajon tashmë prej vitesh nga nisa gara e ashpër për tërheqjen e investitorëve të huaj.
Por si paraqitet Shqipëria?
Fluksi i investimeve të huaja ka pësuar rritje të vazhdueshme vitet e fundit, duke arritur në rreth 1.5 miliardë euro vitin e kaluar, niveli më i lartë i shënuar vitet e fundit. Kundrejt një viti më parë, investimet e huaja janë rritur me rreth 120 milionë euro, ndërsa kundrejt vitit 2019, rritja është rreth 500 milionë euro.
Ndërkohë ecuri pozitive edhe këtë vit me një fluks prej 325 milionë euro tremujorin e parë të këtij viti.
Si shpjegohet një ecuri e tillë dhe ku po i hedhin paratë investitorët e huaj?
Më tërheqësi është sektori i pasurive të patundshme. Të huajt po blejnë prona në Shqipëri, kryesisht në zonën e bregdetit, të nxitur edhe nga zhvillimi i turizmit.
Në pasuritë e patundshme janë investimet 21.6% e totalit të fluksit të investimeve të huaja. Në vend të dytë është industria nxjerrëse, pasuar nga aktivitetet financiare dhe të sigurimit.
Cili vend dominon investimet e huaja?
Të dhënat tregojnë se Holanda po kryeson investimet e huaja direkte në Shqipëri për të pestin vit radhazi. Investimet nga ky vend përbëjnë 16% të totalit, pasuar nga Kanadaja me 13% dhe Italia me 11%.
Dominimi i Holandës në renditjen e investitorëve të huaj lidhet kryesisht me faktin se ky shtet është juridiksion i preferuar për regjistrimin e kompanive offshore, për arsye fiskale, por edhe për çështje të ruajtjes së konfidencialitetit mbi aksionerët. Disa korporata të rëndësishme me aksionerë të huaj në Shqipëri kontrollohen nëpërmjet shoqërive holding, të regjistruar në Holandë.
Por a janë të kënaqur investitorët e huaj në Shqipëri? Shoqata e Investitorëve të Huaj ka evidentuar në anketën e fundit situatën në vend dhe si e shohin tregun dhe klimën e biznesit kompanitë ndërkombëtare.
Rezulton se problemet kryesore të investitorëve të huaj janë sistemi gjyqësor; mungesa e transparencës nga qeveria; mungesa e fuqisë punëtore; legjislacioni fiskal dhe administrata tatimore.