Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) deklaroi se paqëndrueshmëria e fundit dhe problemet e performancës në platformën qeveritare të shërbimeve online e-Albania po ndërpresin operacionet e bizneseve dhe po ngrenë shqetësime për sigurinë e të dhënave dhe besueshmërinë e sistemit.
AmCham ka marrë reagime të përsëritura nga anëtarët e saj se disa shërbime të e-Albania aktualisht funksionojnë në mënyrë të paqëndrueshme dhe nuk përmbushin nevojat operacionale të bizneseve, thuhet në një njoftim për shtyp të publikuar të martën.
Problemet e raportuara përfshijnë ndërprerje të shërbimeve, vonesa, akses të kufizuar gjatë orëve me fluks të lartë dhe performancë të paparashikueshme të sistemit, duke ndikuar drejtpërdrejt në aftësinë e kompanive për të përmbushur detyrimet rregullatore, për t’u shërbyer klientëve dhe për të zhvilluar aktivitetin e përditshëm.
Por a ndikohet tregu i sigurimeve nga problematikat e e-albania?
Në fakt, jo thelbësisht, pasi qytetarët thjesht nuk mund të marrin informacionin në kohë reale, ndërsa infrastruktura elektronike e AMF-së, që është aktori qendror dhe infrastruktura kryesore për mbikëqyrjen financiare dhe jo vetëm në procesin e sigurimeve, vijon punën normalisht.
Sigurisht, në procesin e plotësimit të dokumentacionit kjo problematikë ngadalëson, por infrastruktura elektronike e industrisë së sigurimit, proceset e shërbimit dhe monitorimit, vijojnë normalisht.




