Nga sot futet në fuqi harta e re gjyqësore. KLGJ u ka dërguar vendim të formës së prerë Gjykatave të Apelit në rrethe dhe duke nisur nga sot ato do të mbyllen dhe do të funksionojë vetëm një Apel në Tiranë.
Ndërkohë, 13 gjykatat e Shkallës së Parë do të mbyllen më 1 maj.
Gjykatat e Apelit në Shkodër, Vlorë, Durrës, Korçë dhe Gjirokastër do të shkrihen, ndërsa do të mbetet hapur vetëm një zyrë informacioni për qytetarët.
Kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami tha se me hartën e re gjyqësore synohet që të rritet shërbimi për qytetarët. Por ndryshe mendojnë avoktatët, të cilët thonë se qytetarët do kenë më pak akses në drejtësi, si edhe do kenë më shumë kosto.
Me hartën e re gjyqësore, të gjitha çështjet të cilat nuk kanë asnjë datë për gjykim në Apel, do të hidhen edhe një herë në short, për të caktuar gjyqtarët që do t’i shqyrtojnë. Janë 32 mijë dosje të cilave nuk u ka nisur ende gjykimi, 27 mijë prej tyre janë çështje që janë bashkuar nga apelet e rretheve që u shkrinë. Këto dosje pa datë për seancën e parë, do të rihidhen në short në datat 1 dhe 2 shkurt.
Për këto 32 mijë dosje do jenë 25 gjyqtarë që pritet t’i shqyrtojnë, nga 78 që është organika, por në krah të tyre do jenë edhe ndihmës ligjorë. Këto vakanca janë krijuar nga procesi i vettingut, ndërsa volumi i dosjeve është relativisht i madh krahasuar me numrin e gjyqtarëve. Llagami thotë se një gjyqtar do ketë rreth 1080 çështje, krahasuar me ata të Shkallës së Parë në Tiranë që kanë nga 1500 çështje.
Harta e re do të funksionojë me 17 gjykata gjithsej, 13 të Shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm (shkrihen 9 në rrethe), 1 gjykatë Apeli të Përgjithshëm në të gjithë vendin (shkrihen 5 në rrethe), 2 gjykata Administrative të Shkallës së Parë (shkrihen 3) dhe 1 gjykatë Administrative e Apelit).