Mjekja okuliste, Nora Burda, ka qenë e ftuar këtë të hënë në emisionin “Aldo Morning Show”, në Tv Klan, për të folur në lidhje gripin e syve, si transmetohet dhe kush janë më të rrezikuar.
Ajo u shpreh se gripi i syrit është një sëmundje ngjitëse dhe mund të transmetohet me anë të kontaktit fizik.
Sipas saj, më të rrezikuar janë fëmijët, pasi ata nuk kanë kontroll mbi gjërat që prekin apo bëjnë.
Pjesë nga intervista:
Nora Burda: Gripi i syve është goxha i rëndë në fakt, ka rënë para 3 vjetësh. Ne kemi dal, kemi folur të gjithë. Kanë ardhur nga 5 pjesëtarë të një familjeje, 7 pjesëtarë të një familjeje. Ne shikonim 30 veta në ditë me grip syve dhe ajo ishte situatë për t’u bërë një çikë alarmante, le të themi, për t’iu rekomanduar pacientëve masat e sigurisë. Higjiena personale, të lanin duart, të kujdeseshin, të mos preknin sytë.
Aldo: Problemi më i madh është tek kalamajtë, kam përshtypjen unë.
Nora Burda: Jo, jo edhe tek të rriturit. Po ja, ti takon një shok tani, të jep dorën të thotë: “Aldo si je, si ia kalove, mirëmëngjes”, ti dorën tënde s’e lave, preke syrin një moment. Ai ka pasur sytë me inflamacion, pas dy javësh u bëre dhe ti.
Aldo: Që do të thotë, kjo ngjitet? Kalon nga njeriu në njeri?
Nora Burda: Për sa i përket gripit të syve dhe konjunktivitit bakterial, që është me sekrecione të verdha, ngjitet. Në momentin që dikush prek sytë, nuk i lanë dhe ia jep dorën dikujt, apo prek një objekt që e prek dikush tjetër dhe ai personi tjetër e prek e pa dashje prek sytë e veta, çështje kohe do inflamohet sepse e ka marrë bakterin nëpër duar.
Aldo: Cilat janë personat që janë më të rrezikuar?
Nora Burda: Kalamajtë janë, e di pse? Sepse në qoftë se kalamajtë kanë rrjedhje hundësh, gjithë kohës çfarë bëjnë ata? Ia fusin me dorë, njëherë këtej, njëherë nga sytë, saqë ti nuk i thua dot: “Shiko, mos prek hundët, mos e ço sekrecionet e hundës nëpër sy”, se janë të vegjël. Ose lozin në çerdhe, në kopsht, me kalamajtë e tjerë? Çfarë nuk prekin me dorë, lodrat i kanë të përbashkëta, jo po përqafohen. Domethënë, kujdesi i fëmijëve që këto të sensibilizohen një çikë për çfarë kanë, është zero. Impakti është më i madh te këta.
LEXO EDHE: Vjeshta shton pacientët tek pediatri/ “TeleShëndet”, zgjidhja ideale për çdo prind