Mes shumë treguesve të tjerë ekonomike dhe socialë, “Vjetari Satistikor rajonal 2021”, ka të dhëna dhe mbi mbrojtjen sociale dhe ndihmën ekonomike.
“Scan Intelligence Unit” ka analizuar pensionet si kategoria kryesore e përfitimeve sociale, për të parë se si ndryshon ky tregues nga qarku në qark. Shifrat tregojnë se në rang vendi, për vitin 2020, pensionet e pleqërisë zënë 82% të pensioneve gjithsej.
Nga ana tjetër, pensionet e invaliditetit zënë 10%, ndërsa ato familjare 8%.
Në terma absolutë, në Shqipëri regjistrohen 543 957 pensione pleqërie gjithsej. Qarku i Tiranës, për vitin 2020, regjistron më shumë pensione pleqërie se qarqet e tjera, me 134 344 të tilla.
Nga këto 119,298 janë pensione pleqërie nga popullsia urbane dhe 15,046 janë nga popullsia rurale.
Qarku i dytë, i cili regjistron më shumë pensione pleqerië është qarku i Fierit me 64,323.
Qarku me më pak pensione pleqërie urbane dhe rurale, rezulton të jetë qarku i Kukësit me 11,077 pensione.
Po cili qark ka numrin më të madh të përfituesve të pensioneve për 1000 banorë? Theksojmë se brenda kategorisë pensione përfshihen pensionet e pleqërisë, pensionet familjare si dhe pensionet e invaliditetit. Siç e tregon dhe grafiku, është Gjirokastra qarku me më shumë përfitues për 1000 banorë, me 441 përfitues. Gjirokastra ndiqet nga qarku i Vlorës, me 310 përfitues për 1000 banorë dhe nga qarku i Korçës, me rreth 300 përfitues për 1000 baorë. Qarku me numrin më të ulët të përfituesve është qarku i Tiranës, me 179 përfitues për 1000 banorë. Qarqe po ashtu me një numër të ulët përfituesish janë edhe Kukësi, Durrësi e Dibra.
Përfitues të pensioneve gjithsej për 1.000 banorë të prefekturës, 2020