8.5 C
Tirana
Thursday, November 21, 2024
spot_img

Gazi kap majat

Çmimet e gazit natyror po rriten në të gjithë botën. Shkaktarët janë moti i pazakontë dhe ndërprerjet e furnizimit, shkruan The Economist

Në të gjithë botën ka filluar të ndihet mungesa e gazit natyror. Çmimet e energjisë në Gjermani dhe Francë janë rritur me rreth 40% në dy javët e fundit. Në shumë vende, përfshirë Britaninë dhe Spanjën, qeveritë po nxitojnë për të mbrojtur konsumatorët. Fabrikat po mbyllen përkohësisht, nga ato të aluminit në Meksikë, deri te fabrikat e plehrave kimike në Britani.

Tregjet janë të trazuar. Një tregtar thotë se kjo është një krizë globale për mallrat. Edhe në Amerikë, prodhuesi më i madh në botë i gazit natyror, grupet e lobimit po i bëjnë thirrje qeverisë të kufizojë eksportet e gazit natyror të lëngshëm (GNL), çmimi i të cilit është rritur në 25 dollarë për milion njësi termike britanike (mNTB), duke u rritur me dy të tretat në muajin e kaluar.

Kriza ka shkaqe komplekse, me një sërë faktorësh, nga gjeopolitika deri tek grumbullimi paraprak i mallrave në Azi që i ka rritur çmimet. Megjithatë, nga një këndvështrim tjetër, shkaqet janë të thjeshta: një treg energjie pa mbrojtje të mirë sigurie është bërë shumë i ndjeshëm ndaj ndërprerjeve. Dhe investimet në lëndët djegëse fosile tregojnë se paqëndrueshmëria do të zgjasë.

Mungesa i ka befasuar pothuajse të gjithë. Në vitin 2019, kishte shumë gaz në tregun ndërkombëtar, falë impianteve të reja të GNL që dolën online në Amerikë (shiko grafikun). Kur goditi pandemia dhe masat bllokuese kufizuan kërkesën, shumica e gazit të tepërt shkoi në depot në Europë. Ai u bë i dobishëm dimrin e kaluar, kur ishte veçanërisht ftohtë në Azinë Veriore dhe Europë. I ftohti shtoi kërkesën për ngrohje. Në Azi, çmimet e gazit u katërfishuan në tre muaj. Blerësit, si kompanitë kombëtare të gazit, kërkuan GNL për të plotësuar nevojat për furnizim. Shumë ngarkesa të destinuara për Europën, u transferuan në Azi. Europa, nga ana tjetër, shfrytëzoi rezervat e saj të cilat u reduktuan. Çmimet atje u rritën.

Çfarë po ndodh këtë vit

Këtë vit është shfaqur përsëri moti i çuditshëm. Vera e nxehtë ka rritur kërkesën për gaz në Azi. Rajoni përbën pothuajse tre të katërtat e importeve globale të GNL, sipas kompanisë financiare AllianceBernstein. Kina ishte e para në këtë drejtim, falë rimëkëmbjes së shpejtë ekonomike. Në gjysmën e parë të vitit 2021, prodhimi i energjisë u rrit me 16%, krahasuar me një vit më parë. Tre të pestat e energjisë së Kinës prodhohen nga qymyri; një e pesta vjen nga hidrocentralet.

Por prodhimi i hidrocentraleve ka qenë i ulët për shkak të thatësirës. Dhe kërkesa për qymyr ka rënë pjesërisht për shkak të politikave ekologjike, si zëvendësimi i kaldajave me qymyr, me ato me gaz. Investimet në nxjerrjen e qymyrit kanë qenë gjithashtu të ulëta. Kjo nënkupton më shumë mbështetje në gazin natyror. Në gjysmën e parë të vitit, prodhimi i gazit u rrit më shpejt se qymyri. Importet kineze të GNL u rritën me 26% nga viti i kaluar.

Edhe vendet e tjera kanë përjetuar kërkesë më të lartë, pjesërisht për shkak të verës së ngrohtë në Azi. Japonia, Koreja e Jugut dhe Tajvani kanë rritur objektivat për ruajtjen e rezervave. Ndërkohë, një thatësirë ​​në Amerikën Latine, ka rritur nevojën për gaz. Kërkesa për GNL në rajon pothuajse është dyfishuar vitin e kaluar.

Ndërkohë që GNL po kërkohet së tepërmi në Azi, nuk ka mbetur shumë për blerësit europianë. Importet e GNL në Europë janë rreth 20% më të ulëta se vitin e kaluar. Inventarët e gazit janë rreth 25% nën mesataren afatgjatë. Prodhimi i gazit ka rënë gjithashtu në Britani dhe Holandë. Analistët shpresonin që kompania ruse Gazprom, e cila furnizon një të tretën e gazit të Europës, do të zgjidhte problemet.

Por edhe pse kompania i përmbushi të gjitha kontratat afatgjata të gazit në Europë këtë vit, ajo nuk ka shitur gaz shtesë në tregun vendas. Disa dyshojnë se Gazprom dëshiron të përshpejtojë nisjen e tubacionit të madh të gazit Nord Stream 2.

Europa është goditur nga moti i pazakontë edhe në mënyra të tjera. Në të gjithë veriperëndimin e kontinentit, ajri ka qenë i qetë, duke zvogëluar prodhimin e energjisë nga era. Në Gjermani, për shembull, në dy javët e para të shtatorit, prodhimi i energjisë së erës ishte 50% nën mesataren pesëvjeçare. Për më tepër, zakonisht ndërmarrjet europiane u përgjigjen çmimeve të larta të gazit, duke përdorur më shumë qymyr.

Por çmimi i qymyrit ka arritur nivele rekord për shkak të kërkesës për energji elektrike dhe problemeve me prodhimin. Kostoja e lejeve europiane të karbonit është gjithashtu në nivele rekord. Ato i japin mbajtësit të drejtën të lëshojë një sasi të caktuar gazrash serë. Për shkak se djegia e qymyrit lëshon më shumë ndotje se djegia e gazit natyror, lejet e shtrenjta të karbonit i rrisin edhe më shumë çmimet.

Tregu amerikan

Ndërkohë, tregu amerikan i gazit i është përgjigjur kërkesës ndërkombëtare. Në gjysmën e parë të vitit, Amerika eksportoi rreth një të dhjetën e prodhimit të saj të gazit natyror, një rritje prej 42% në krahasim me një vit më parë, sipas Administratës së Informacionit të Energjisë, një agjencie statistikore qeveritare. Por edhe nëse Amerika do të prodhonte më shumë brenda vendit, kjo nuk do të ndihmonte në balancimin e tregut ndërkombëtar të GNL.

Fabrikat e GNL në Amerikë po funksionojnë pothuajse me kapacitet të plotë. Po kështu edhe fabrikat e lëngëzimit të gazit në vendet e tjera të mëdha prodhuese, si Australia dhe Katari. Zgjerimi i impianteve të GNL është i mundur (Katari po planifikon të rrisë kapacitetin me 50%), por duhen vite për ta bërë këtë.

Si mund të qetësohet tregu në një periudhë afatshkurtër?

Një mundësi është zëvendësimi. Kjo ka filluar të ndodhë në disa vende. Europa po djeg më shumë qymyr se vitin e kaluar. Disa termocentrale në Pakistan dhe Bangladesh po përdorin naftë në vend të GNL. Një mundësi tjetër është rritja e furnizimit nga Rusia. Por është e paqartë se sa më shumë gaz mund të prodhojë Rusia. Një mundësi e fundit është moti më i ngrohtë. Por meteorologët tashmë po parashikojnë një dimër të ftohtë. Çmimet e gazit nuk ka gjasa të ulen së shpejti.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat