Numri i rasteve me grip në Itali mbetet i lartë dhe ka pësuar një rritje krahasuar me javën e kaluar.
Referuar mediave italiane, mes 25 dhe 31 dhjetorit, më shumë se 1 milion italianë “kanë zënë krevatin” nga viruset e frymëmarrjes, më shumë se një e treta nga gripi.
Spitalet dhe urgjencat janë nën stres në këto ditë të para të vitit të ri, por ajo që tashmë është veçanërisht shqetësuese është fakti se ka një rritje të formave më të rënda të gripit të shoqëruara me pneumoni edhe te të rinjtë.
“Gripi i këtij viti “në fakt duket se ka një patogjenitet më të lartë se vitet e tjera dhe po vëzhgojmë më shumë shtrime për pneumoni në pacientë të shëndetshëm dhe të rinj. Disa nga këta pacientë kërkojnë shtrimin në spital dhe në disa raste edhe përdorimin e terapisë intensive”, shpjegon Marco Falcone, drejtor i departamentit të sëmundjeve infektive në spitalin universitar Pisan.
Për më tepër, pneumonia e shkaktuar nga gripi “ka tendencë të ndërlikohet me superinfeksione bakteriale, si ato të shkaktuara nga Staphylococcus aureus ose Pneumococcus”.
Nuk është ende e qartë nëse këto forma veçanërisht të rënda janë për shkak të rënies së imunitetit ndaj viruseve të gripit pas dy viteve të pandemisë apo varianteve virale më agresive.