Nga Enio Jaço, President i Dhomës Amerikane të Tregtisë
Të lidhura me Ukrainën përmes shkëmbimit tregtar, ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk do jenë imune nga situata në Ukrainë.
Nëse lufta zgjat, ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit me produktet bazë, gaz, naftë dhe drithëra do jetë shumë e ndjeshme për tregjet lokale. Rusia është furnizuesi kryesor i gazit dhe naftës në disa shtete kryesore të Europës dhe bashkë me Ukrainën janë eksportuesit më të mëdhenj të grurit dhe drithërave.
Pasojat mund të bëhen drejtpërdrejtë të prekshme në javët në vijim.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut exportojnë fruta perime në Ukrainë dhe tregjet atje janë mbyllur ndërkohe. Vendet e Ballkanit, por më së shumti Shqipëria për shkak të ofertës së lartë në turizëm, janë shndërruar në një destinacion për turistët rusë e ukrainas vitet e fundit. Anulime fluturimesh, prishje kontratash apo ngërçe partneriteti midis strukturave turistike – efektet do të jenë zinxhir në ekonomi.
Së dyti, përshpejtimi i inflacionit duket i pashmangshëm. Vala e rritjes pritet të përfshijë Europën, e përkthyer në rritje të pritshme çmimesh për të gjithë!
Të kombinuara këto faktorë do përbëjnë rrezik për stabilitetin ekonomik, duke e bërë jetën më të shtrenjtë për qytetarët, barrën më të rëndë për bizneset.
Por përballë efekteve të krizës, me vështirësitë e rimëkëmbjes nga Covid 19, përfshirë dhe problemet e brendshme, vendet e Ballkanit mbeten të brishta. Qeveritë duhet të veprojnë në plane masash afatgjata ku me rëndësi, mbetet diversifikimi i tregjeve por dhe përshpejtimi i reformës pa humbur kohë!
Lexo edhe: Lufta në Ukrainë, 4 frontet ku goditet ekonomia shqiptare