Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë parashikon për vitin 2024 rritje mesatare të çmimeve të apartamenteve me 20% në Tiranë, pasi rritja e taksave, pas ndryshimit të çmimeve të referencës, do të ndikojë në kostot e ndërtimit.
Edhe për pronat në zonat bregdetare pritet të ketë shtrenjtim të çmimeve prej rritjes së taksave. Në fund të vitit 2023, Bashkia e Vlorës i propozoi për miratim Këshillit Bashkiak, rritjen e taksës së ndikimit në infrastrukturë nga niveli 4% në 6%.
“Në ndërtim, kostot direkte nuk do të jenë më të larta, ndërsa ndikimi i taksave nga qeveria pritet të jetë në rritje. Nëse në Tiranë sot aplikohet maksimumi i taksës së ndikimit në infrastrukturë (8%), disa qytete, si p.sh., Vlora, kanë hedhur në diskutim rritjen e kësaj takse nga 4% aktualisht, në 6%.
Ndryshimet e çmimeve të referencës deri më sot kanë dhënë ndikim vetëm në qytetin e Tiranës, me rritjen e çmimit të referencës në gjithë territorin e kryeqytetit, që pritet të rrisë koston e ndërtimit mesatarisht 40% më shumë.
Sigurisht që kjo rritje kostosh do të shoqërohet me çmime më të larta. Çmimi do të rritet besoj mesatarisht me 20%”, thotë për “Monitor” kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Erjon Harizi.
Fluksi i ndërtimeve pritet të jetë i lartë dhe në kryeqytet. Në 5 vjet, përkatësisht periudha 2018-2022, sipas të dhënave të projektbuxhetit të vitit 2024, Bashkia e Tiranës ka mbledhur nga taksa e infrastrukturës për ndërtime të reja 32,9 miliardë lekë.
Arkëtimet nga kjo taksë kanë shënuar rritje pas vitit 2018. Në vitin 2022, nga kjo taksë, Bashkia më e madhe në vend arkëtoi 7,4 miliardë lekë. Arkëtimet e pritshme nga kjo taksë për vitin 2023 parashikohen në 7 miliardë lekë.
Parashikimet e arkëtimeve për këtë taksë, referuar të dhënave të projektbuxhetit, pritet të jenë në vlerën e 6,3 miliardë lekëve në vitin 2024. Në 2025-2026, arkëtimet do të jenë nga 6,5 miliardë lekë.
LEXO EDHE: Zjarre, tërmete…/ Ponari: Sigurimi, mundësia e vetme për të mbrojtur pronën