Blerja e shtëpisë është një nga investimet më afatgjatë që kryhet vetëm një herë.
Në Tiranë, çmimet e pronave afër qendrës janë të papërballueshme për shumë familje shqiptare, të cilat po zgjedhin si alternativë kryesore për strehim periferinë dhe zonat jashtë Tiranës.
Agjentet imobiliare, Oksana Genkina dhe Anxhela Musaj, të ftuara në emisionin ‘7pa5’ në Vizion Plus, kanë treguar se cilat janë zonat më të lira për momentin.
Ka lagje më të lira në Tiranë?
Genkina: Nuk është e njëtrajtshme. Tirana është zgjeruar goxha, Astiri nuk është më siç ka qenë para disa viteve. Zona e Freskut dhe Kombinatit janë më të lira. Çmimet fillojnë nga 300 euro 1+1. Kjo është një vlerë e lirë për tregun aktual.
Musaj: Zonat më ekonomike janë ato periferike, Kamza, Ali Demi, por jo në komplekset e reja që janë ndërtuar. Astiri dikur ka qenë një ndër zonat që lakmohej për çmimin e lirë, por sot është shumë e vështirë të gjesh një apartament 300 euro.
Pse u rritën çmimet e qirave?
Musaj: Kemi vënë re një rritje të lartë të kërkesave dhe klientë që vijnë nga qytete të vogla për të punuar e jetuar në Tiranë. Kërkesat janë rritur. Për një të huaj është shumë normale një apartament me vlerë 700 euro. Një shqiptar që vjen nga rrethet vendos të jetojë me dike për t’i dhënë vetes më shumë mundësi. Duke parë që kërkesat janë gjithnjë në rritje pronarët kanë vendosur të rrisin çmimet, për sa kohë nuk ka ulje të kërkesës nuk ka as ulje të çmimeve.
Genkina: Sot janë edhe kushtet e banesave më të mira. Pallatet janë më të reja, cilësia më e mirë, nuk janë problematikat që kanë qenë.
A kemi të bëjmë me çmime të papërballueshme?
Genkina: Ka ekstreme, si për vlera si për qira. Unë i sugjeroj një çifti për shembull që të marrë me kredi një apartament, dhe jo të paguajë qira. Kur një çift merr një apartament me qira është e njëjta vlerë si kësti i kredisë pak a shumë. Por në fund i mbetet prona.