Për dy ditë me rradhë, në data 25 dhe 26 shtator, nën organizimin e Shoqatës Turke të Sigurimeve (Türkiye Sigorta Birliği), u zhvillua në Stamboll u zhvillua Samiti i Dytë Ndërkombëtar i Sigurimeve, ku Shqipëria merrte pjesë përmes Sekretares së Përgjithshme të Shoqatës të Siguruesve të Shqipërisë, znj. Mimoza Hajdarmataj.
Nën moton “Rreziku i fatkeqësive dhe sigurimi: Roli i siguruesve në zbutjen e ndikimeve të fatkeqësive natyrore“, pjesëmarrësit në samit diskutuan mbi praktikat dhe përvojat më të mira që do të ndihmojnë në uljen e humbjeve nga fatkeqësitë natyrore.
Samiti dy-ditor u përqendrua në;
– rreziqet e katastrofave, tërheqja e vëmendjes së publikut mbi rolin e industrisë së sigurimeve dhe ndërgjegjësimi për masat në zbutjen e efekteve të këtyre fatkeqësive.
-diskutimi i praktikave më të mira ndërkombëtare kundër fatkeqësive katastrofike dhe krijimi i një mjedisi ku ekspertë të dalluar nga vendet e përjetuara nga incidente katastrofike ndanë përvojat e tyre.
– ndarjen e përvojave të kompanive të sigurimit kundër katastrofave dhe shkëmbimin e mësimeve të nxjerra në zbutjen e ndikimeve të fatkeqësive katastrofike.
– mbrojtje financiare nga rreziqet e katastrofave; rëndësia e partneritetit publik-privat në krijimin e programeve të sigurimit të rrezikut nga katastrofa.
– perspektiva e risigurimit për menaxhimin e rrezikut të katastrofës, etj.
Ndërkohë, panelistët e pranishëm, nuk hezituan të jepnin shembuj konkretë sa i përket mbulimit të rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, mundësive që ofron tregu i sigurimeve dhe potencialit për bashkëpunim përmes partneritetit publik-privat.
Teksa në Shqipëri po diskutohet projektligji për “Sigurimin e Detyrueshëm të Banesave nga Tërmeti”, Gunhild Berg, Shefe e Sektorit Financiar në Bankën Botërore, theksoi se modelet e partneritetit publik-privat si, DASK dhe TARSİM, po përdoren në mbarë botën dhe janë shembuj të suksesshëm të zbatimit.
I këtij mendimi ishte edhe Christian Pierotti, Drejtor i Marrëdhënieve Evropiane dhe Ndërkombëtare të “Fédération Française de l’assurance” (Shoqata Franceze e Sigurimeve) duke theksuar se në vendin e tij, sistemi i kompensimit të fatkeqësive natyrore është projektuar përmes bashkëpunimit publik-privat, i cili sipas tij, po rezulton efektiv.
Ish-kryespecialistja e Sigurimeve në Bankën Botërore, Serap Oğuz Gönülal vuri në dukje se menaxhimi i rrezikut të fatkeqësive është një çështje publike globale.
Ajo u shpreh ndër të tjera se duhet adoptuar një qasje e qëndrueshme dhe ekonomike, ndërsa shtoi se Turqia, sipas studimeve të Bankës Botërore, është shembull i suksesshëm falë modelit, DASK.
Elina Papaspyropoulou, Drejtore e Përgjithshme e Shoqatës Helenike të të Sigurimeve ndau me panelin informaciione mbi qasjen e sektorit të sigurimeve në Greqi ndaj fatkeqësive katastrofike dhe sfidave që paralajmëron e ardhmja.
Znj. Papaspyropoulou vuri në dukje ekzistencën e një “hendeku të konsiderueshëm të mbulimit të sigurimit” dhe renditi prioritetet për mbylljen e këtij hendeku.
Fillimisht, sipas saj, duhet rritje e sigurimeve vullnetare përmes rregullimeve ligjore dhe stimujve tatimorë. Nëse këto masa rezultojnë të pamjaftueshme, atëherë mund të konsiderohet opsioni i sigurimit të detyrueshëm.
Më tej, ajo njoftoi se qeveria greke ka bërë të detyrueshëm sigurimin për bizneset me xhiro mbi 2 milionë Euro.
Ndërkohë Tim Grafton, Presidenti i Këshillit të Sigurimeve të Zelandës së Re, ndau me të pranishmit praktikat e vendit të tij në lidhje me tërmetet dhe rreziqet klimatike.
Në Zelandën e Re, çdo individ që merr sigurimin e shtëpisë kontribuon në Komisionin e Tërmeteve të financuar nga publiku.
Sipas tij, “në këtë proces, bashkëpunimi ndërmjet industrisë së sigurimeve dhe institucioneve publike është i një rëndësie kritike. Të mos harrojmë: Çdo 1 dollar i investuar para fatkeqësisë siguron rikuperim prej 5 dollarësh pas fatkeqësisë”.
Edhe për shkak të ndryshimeve klimatike, fatkeqësitë natyrore po bëhen më të shpeshta dhe më aggressive duke detyruar vende anembanë globit të angazhohen me plane të reja parandalimi.
Shqipëria është një nga vendet më të rrezikuara nga këto fatkeqësi ku episodi më i fundit me ishte tërmeti i nëntorit 2019 që preku të paktën 11 bashki me pasoja fatale sidomos në disa prej tyre.
Pasojat e fatkeqësive natyrore janë jashtëzakonisht të mëdha në disa këndvështrime. Ato janë të shoqëruara me humbje jetësh njerëzish, me dëme kolosale të karakterit ekonomik e social, por edhe me prishjen e trendit në zhvillimin ekonomik. Ndaj shpeshherë, ekspertë të fushës kanë apeluar për ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi rëndësinë që ka industria e sigurimeve në këtë drejtim. /Sigurime.Online