Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar u rrit në tremujorin e tretë të vitit.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë ky tregues arriti në 18.3%, nga 17.95% që kishte qenë në tremujorin e kaluar.
Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mat vlerën e kapitalit rregullator të sektorit bankar në raport me vlerën e aktiveve të ponderuara me koeficientet përkatës të rrezikut. Ai është treguesi më i rëndësishëm rregullator për bankat tregtare dhe vlerëson aftësinë e tyre për të mbuluar me kapital rreziqet e marra përsipër.
Rritja e tremujorit të tretë ka ardhur falë një rritje më të lartë të vlerës së kapitalit rregullator në raport me atë të aktiveve të ponderuara me rrezik.
Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit kishte ardhur në rënie për tre tremujorë radhazi, kryesisht për shkak të zmadhimit të emëruesit ose të aktiveve të peshuara me rrezik.
Një zhvillim i tillë reflekton kryesisht rritjen e kreditimit dhe më në përgjithësi një tendencë të bankave për të rritur biznesin dhe për të marrë përsipër rreziqe, pavarësisht krizës së fortë ekonomike të lidhur me pandeminë.
Por, gjatë tremujorit të tretë 2021 vlera e kapitalit rregullator u rrit ndjeshëm me 3.8% krahasuar me një tremujor më parë dhe me 7% me bazë vjetore.
Kapitali rregullator i sektorit bankar shqiptar në pjesën dërrmuese është kapital i nivelit të parë, që përfshin instrumentet më cilësore të kapitalit, kryesisht kapitalin e paguar aksioner, primet e aksioneve, rezervat dhe fitimet e pashpërndara.
Raporti mes kapitalit të nivelit i dhe aktiveve me rrezik është 17.2%, duke dhënë kontributin kryesor në treguesin e kapitalizimit total të sektorit.
Rritja e kapitalizimit të sektorit po mbështetet sidomos nga përmirësimi i ndjeshëm i performancës financiare. Për 9-mujorin 2021, sektori bankar realizoi një fitim neto në vlerën e 15.9 miliardë lekëve, në rritje me 48% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sektori bankar në Shqipëri historikisht ka pasur nivele të larta kapitalizimi, për shkak të linjës rregullatore konservatore të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Pragu minimal i kërkuar është 12%, ndërsa për banka të veçanta kërkesa gjatë viteve të krizës ka qenë edhe më e lartë. Me miratimin e rregullores për shtesat makroprudenciale të kapitalit, nivelet minimale të kërkuara të kapitalizimit janë rritur edhe më shumë.
Nga fillimi i këtij viti, bankat kanë përmbushur edhe shtesën konservuese prej 1% në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit. Për pesë bankat më të mëdha, që janë klasifikuar si banka me rëndësi sistemike, ky raport duhet të jetë edhe më i lartë, nga 0.5% deri në 1%, në varësi të bankës. Duke filluar nga viti 2022, shtesa konservuese e kapitalit do të rritet sërish me 0.5 pikë përqindje për të gjitha bankat e sistemit.
Kërkesat për një kapitalizim më të lartë të bankave janë në linjë me masat e marra nga institucionet mbikëqyrëse homologe në Europë pas krizës financiare dhe synojnë të rrisin rezistencën e bankave tregtare kundrejt rreziqeve të mundshme në të ardhmen. Por, nëse kërkesat makroprudenciale sipas direktivave të Komitetit të Bazelit shtohen mbi një raport bazë prej 8% të mjaftueshmërisë së kapitalit, Banka e Shqipërisë po i aplikon këto shtesa sipër nivelit 12%. Sipas bankave, rritja e vazhdueshme e kërkesave për kapital mund të ulë eficiencën dhe të rrisë kostot e bankave tregtare. Kjo do të përkthehej në një shtrenjtim të produkteve dhe shërbimeve financiare për publikun e gjerë./Monitor
Lexo edhe: Të gjitha bankat me fitim, rezultati më i lartë i dekadës/ Ja cila kryeson tregun