Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ishte kryesues i delegacionit shqiptar që mori pjesë në takimet shpjeguese për kapitullin 9 të negociatave “Shërbimet financiare”, organizuar në Bruksel nga Komisioni Evropian. Gjatë takimit ku Autoriteti u përfaqësua nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Ervin Mete, në cilësinë e negociatorit të kapitullit 9, u theksua se është thelbësore përgatitja për procesin e negocimit të kapitujve dhe përafrimi i mëtejshëm i legjislacionit shqiptar me acquis të BE.
Takimi u hap nga Drejtuesi i ekipit për Shqipërinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Fqinjësisë dhe Zgjerimit në Komisionin Evropian, Vincent Rey, si edhe nga fjalët përshëndetëse të znj. Majlinda Dhuka, Ministre Shteti dhe Kryenegociatore e Shqipërisë, si edhe znj. Drita Abdiu Halili, Zv/Kryenegociatore e Maqedonisë së Veriut.
Më tej, ekspertët e Komisionit Evropian bënë një prezantim të direktivave dhe kërkesave që duhet të plotësojë Shqipëria sa i përket kapitullit 9 “Shërbimet Financiare”. Acquis në këtë kapitull rregullon shërbimet financiare në fushën bankare, atë të sigurimeve, pensioneve vullnetare, shërbimeve të investimeve dhe tregjeve të titujve. Së bashku me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, institucione të tjera kontribuese në këtë kapitull janë Banka e Shqipërisë, Instituti i Statistikave (INSTAT), si edhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD).
Përgjatë viteve të fundit është ndryshuar një pjesë e konsiderueshme e ligjeve për tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit, duke i përafruar me Direktivat dhe kuadrin ligjor evropian. Në vitin 2020 u miratuan ligjet e reja për tregjet e kapitalit, sipërmarrjet e investimeve kolektive, si edhe për tregjet financiare të bazuar në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë. Ndërsa në vitin 2021 u miratua ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit. Projektligji i ri për fondet e pensioneve private është në pritje të miratimit nga Këshilli i Ministrave.
Avancimi ligjor dhe rregullator i ndërmarrë nga Autoriteti u nënvizua edhe në Raportin e fundit të Progresit, të Komisionit Europian, publikuar në vitin 2021. Në gjetjet e Kapitullit 9-të “Shërbimet Financiare”, raporti thekson se “është bërë progres në lidhje me rekomandimet e vitit të kaluar përmes miratimit të ligjit për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.