Anëtarët e Bashkimit Evropian, po hartojnë planin për reduktimin e konsumit të energjisë për shkak të frikës nga mungesat që kërcënojnë në dimër.
“Kjo do të ketë ‘ndikim të madh’ në reduktimin e konsumit në BE”, tha Antonin Chapelot, Udhëheqës i Organizatës Joqeveritare Koalicioni për Kursimet e Energjisë. Ai theksoi se përveç masave të menjëhershme që synojnë t’i mbijetojnë dimrit, qeveritë do të duhej gjithashtu të ndërmarrin hapa afatgjatë, siç është rinovimi i ndërtesave duke i bërë ato më efikase në energji, dhe kalimi në teknologjitë e ngrohjes qendrore që janë më të pranueshme për mjedisin.
Rregullorja e Komisionit Evropian kërkon reduktim prej 15 % të konsumit të gazit në periudhën e dimrit, dhe i lejon vendet anëtare të përcaktojnë masat që duhet të arrijnë këtë qëllim. Në Francë autoritetet synojnë t’ua ndalojnë dyqaneve që t’i lënë dyert e tyre të hapura gjatë përdorimit të pajisjeve të ngrohjes dhe për ajër të kondicionuar.
Plani gjithashtu ka për synim të ndalë funksionimin e reklamave me ndriçim në të gjitha qytetet nga ora 1 deri në 6 të mëngjesit.
Spanja filloi qasjen më radikale se vendet e tjera të BE-së. Tashmë ka nxjerrë një dekret që detyron kompanitë të vendosin kondicionerin në 27 gradë celsius gjatë verës dhe ngrohjen në 19 gradë gjatë dimrit.
Në Gjermani, qeveria i ka bërë thirrje përdoruesve të ndërtesave publike dhe të biznesit, të ndalin ngrohjen e “dhomave ku njerëzit nuk kalojnë pjesën më të madhe të kohës”, si dhe nëpër korridore dhe salla të mëdha.
Industritë e mëdha si dhe familjet, ftohen të kursejnë, në mënyrë që të ruajnë temperaturën minimale në apartamentet e tyre. Ngrohja në objektet publike do të lejohet në maksimum 19 gradë celsius, ndërtesat dhe monumentet nuk do të ndriçohen gjatë natës sikurse edhe reklamat.
Duke marrë parasysh se nuk ka rregullore të përbashkëta, shumë qytete dhe provinca Gjermane kanë miratuar masat e tyre, siç është reduktimi i ndriçimit të rrugëve dhe vendosja e kufijve të temperaturës në ndërtesat publike.
Berlini do të fikë reflektorët që ndriçojnë 200 ndërtesat dhe monumentet historike, ndërsa Bavaria zbuloi planin e saj për të kursyer energjinë në ndërtesat e administratës publike.
Italia deri më tani nuk ka miratuar ndonjë plan të përbashkët. Ministri i Mjedisit, Roberto Cingolani, tha se nuk do të ketë shkurtime drakoniane të shpenzimeve, por më pas qeveria njoftoi në Korrik se po harton një plan shtrëngues emergjent që mund të përfshijë kufizimin e ngrohjes në 19 gradë celsius gjatë dimrit dhe ftohjen në 27 gjatë verës, duke reduktuar ndriçimin e rrugëve gjatë natës dhe mbylljen e hershme të dyqaneve.