“Një skemë efikase e sigurimit të katastrofave duhet të përfshijë edhe sektorin privat”.
Kështu shprehet Oliver Mahul, Menaxher i Programit për Financimin dhe Sigurimin e Riskut nga Fatkeqesitë Natyrore në Bankën Boterore.
Gjatë një takimi me mediat ai u shpreh se zgjidhja më e mirë për ngritjen e një skeme efikase të sigurimit të katastrofave është përfshirja e përbashkët e sektorit publik dhe tregut privat të sigurimeve.
Sipas tij, roli i qeverisë mund të jetë i domosdoshëm, veçanërisht në fazën e parë të ndërtimit të skemave të sigurimit nga katastrofat, sidomos në vende ku depërtimi i sigurimeve vullnetare të pronës është i ulët. Por, sipas tij, një skemë e tillë nuk mund të ngrihet dhe të administrohet ekskluzivisht me burimet e sektorit publik.
Ai mendon se skema duhet të përfshijë edhe kapacitetet që ka tregu privat i sigurimeve. Kjo përfshirje mund të bëhet në disa nivele, duke përfshirë marketimin dhe shitjen e produkteve të sigurimit të detyrueshëm nga katastrofat apo trajtimin e rasteve të dëmeve.
Mahul nënvizoi se, edhe në rastin kur sigurimi nga katastrofat është i detyrueshëm, komunikimi me konsumatorët është i rëndësishëm, në mënyrë që të krijohet vetëdija se mbrojtja që ofron një produkt i tillë është një domosdoshmëri.
Në gusht të këtij viti, Ministria e Financave dhe Ekonomisë hodhi për konsultim publik një projektligj për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet. Projektligji parashikon detyrimin për të siguruar të gjitha banesat dhe seksionet që ndodhen brenda banesave që përdoren si njësi shitje, zyra apo për qëllime të ngjashme.
Detyrimin për blerjen e policës së sigurimit nga tërmetet do ta kenë edhe subjektet e banesave sociale me qira, përfshirë banesat në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilët financojnë primin nga buxheti i tyre. Për shtresat sociale në në nevojë, primi i sigurimit të detyrueshëm do të financohet nga buxheti i shtetit.
Sigurimi do të mbulojë vetëm dëmtimet në banesë, por jo dëm tjetër pasuror (mobilet, pajisjet e brendshme, etj) dëmet në njerëz, përfshirë vdekjen, apo lloje të tjera të dëmeve.
Skema e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet nuk përfshin kompanitë private të sigurimeve, por do të menaxhohet nga Fondi Kombëtar për Tërmetet, i organizuar në formën e një shoqërie aksionare, në pronësi të shtetit.
Ky variant i projektligjit është kundërshtuar edhe nga Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, Dhoma Amerikane e Tregtisë apo Shoqata Shqiptare e pasurive të Paluajtshme.