11.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetBanka Botërore: Çmimet e larta, kontratat PPP dhe fatkeqësitë natyrore rrezik për...

Banka Botërore: Çmimet e larta, kontratat PPP dhe fatkeqësitë natyrore rrezik për perspektivën ekonomike të Shqipërisë

Rritjet e mëtejshme të çmimeve të ushqimeve dhe energjisë shihen si një rrezik i rëndësishëm për rritjen ekonomike të vendit dhe uljen e varfërisë në Shqipëri, lajmëroi sot Banka Botërore nëpërmjet raportit të rregullt rajonal “Drejt rritjes së Qëndrueshme”, në të cilin u vlerësuan si rreziqe potenciale për perspektiven e kontratat koncesionarë PPP dhe fatkeqësitë natyrore.

Banka analizoi se çmimet e larta ndikojnë negativisht në të ardhurat reale të disponueshme dhe ngadalësojnë uljen e varfërisë dhe potencialisht kufizojnë hapësirën fiskale.

Si një ekonomi e vogël dhe e hapur, Shqipëria është shumë e ekspozuar ndaj goditjeve të jashtme, si recesioni në Europë dhe shtrëngimi i mëtejshëm i kushteve të financimit në tregjet ndërkombëtare në vitet në vijim.

Ndërsa si rreziqe të brendshme potenciale konsiderohen fatkeqësitë natyrore, partneritetet publike-private dhe ndërmarrjet shtetërore, si dhe rreziqet fiskale që rrjedhin nga një sektor energjetik i bazuar në hidrocentrale, të cilat varen kryesisht nga ndryshimet në kushtet hidrologjike.

LEXO EDHE: Ndryshimet klimatike/ Sigurimi nga katastrofat natyrore, varka e vetme e shpëtimit

Në kontekstin e shtrëngimit të kushteve financiare në tregjet ndërkombëtare dhe rritjes së kufizuar ekonomike në Europë, rritja e PBB-së pritet të ngadalësohet në 3.6% në vitin 2023.

Megjithatë, rritja e sektorëve të turizmit dhe ndërtimit pritet të nxisë eksportet, konsumin dhe rritjen e investimeve me ritme të ngjashme me periudhën para pandemisë, referoi BB, në pjesën për Shqipërinë.

Kontributi i përgjithshëm i investimeve në rritjen ekonomike pritet të ngadalësohet, për shkak të efektit të bazës shumë të lartë krahasuese dhe përfundimit të programeve për rindërtimin pas tërmetit.

Norma e inflacionit parashikohet të fillojë të kthehet në objektivin prej 3 për qind në vitin 2024. Bilanci primar pritet të arrijë në 0.1% të PBB-së në vitin 2023 dhe të qëndrojë pozitiv në përputhje me rregullin fiskal. Në anën e shpenzimeve pritet konsolidim fiskal. Për të ardhurat, qeveria planifikon të prezantojë masa të mëtejshme të politikës tatimore, siç parashikohet në Strategjinë Afatmesme për të Ardhurat.

Borxhi publik pritet të vijojë rënien gjatë periudhës afatmesme, si rezultat i rritjes më të lartë nominale dhe përmirësimit gradual të bilancit primar. Duke pasur parasysh varësinë në rritje të Shqipërisë nga financimi i jashtëm, rreziqet që lidhen me kursin e këmbimit, normën e interesit dhe rifinancimin mbeten të larta.

Pozicioni fiskal i qeverisë u përmirësua në gjysmën e parë të vitit 2023. Qeveria shënoi një suficit të lartë si rezultat i rritjes së fortë të të ardhurave dhe shpenzimeve më të ulëta. Të ardhurat nga grantet dhanë kontributin më të lartë në rritjen e totalit të të ardhurave (14.5 për qind në terma vjetorë, për shkak të disbursimeve të BE-së), të ndjekura nga të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, duke reflektuar rritjen e pagës minimale të detyrueshme.

Rritja e shpenzimeve ishte relativisht e vogël me 3.4% (në terma vjetorë), por ritmi i rritjes pritet të përshpejtohet gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2023 për shkak të rritjes së shpenzimeve kapitale. Me një deficit të parashikuar prej 2.5% të PBB-së në vitin 2023, borxhi publik pritet të arrijë në 63.4% të PBB-së në vitin 2023, nga 65.1% e PBB-së në vitin 2022.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat