Rritja e çmimeve pritet të bjerë mbi shtresat në nevojë. Banka Botërore i sugjeron qeverisë shqiptare të hartoje skema te reja ne mbështetje të qytetarëve. Raporti vëren rritje te borxhit publik, tkurrje të vendeve të punës dhe rënie të fuqisë punëtore.
Rritja e çmimeve në Shqiperi, niveli i larte i borxhit publik sipas ekspertëve ndërkombëtare dhe vendas mbeten shqetësuese.
Banka Botërore publikoi raportin ekonomik të vjeshtës ku megjithëse flitet për rimëkëmbje të shpejtë, shtresat e varfra janë ato më të cënueshme.
Tkurrja e vendeve të punës nga recesioni dhe pasojat e tij kanë prekur gratë dhe të rinjtë.
Shumë prej të varfërve, mosha te reja mund të mbeten pa përkrahje sociale.
Punëtorët informalë që humbasin punën nuk e përfitojnë pagesën e papunësisë.
Ata që punojnë në bujqësi janë tashmë të varfër. Në qytete, rritja e varfërisë do të vijë kryesisht per shkak se ata punojnë në sektorin e shërbimeve.
Për pasojë fuqia punëtore vjen në rënie. Ekonomistja, Hilda Shijaku, foli për pasigurinë ekonomike.
“Rimëkëmbja e vendeve të punës pas krizës ka qenë e ngadaltë, ndikuar më së shumti shtresat vunerabël. Papunësia e të rinjve është rritur përsëri në nivelet e 2018”.
Rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të jetë 7.2% gjatë këtij viti, më e larta në rajon por ka ende pasiguri për rritjen e çmimit të energjisë.
Këtë e thotë Emanuel Salinas, menaxher i Bankës Botërore për Shqipërinë, bazuar në raportin periodik.
“Ekonomia shqiptare ka dhënë shenja inkurajuese për rimëkëmbjen. Shqipëria ka mundësi të forcojë qëndrueshmërinë e modelit të saj ekonomik dhe të zbatojë reforma që mbështesin më tej rritjen, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik.”
Salinas jep dhe rekomandimet për Shqipërinë.
“Qeveria duhet të investojë në edukim, inovacion dhe në ekonominë e gjelbër”.
Edhe Linda Van Gelder, drejtore për Ballkanin Perëndimor, sugjeroi nje tranzicion të gjelbër për të ardhmen post-pandemike.
“Qasja e tyre në politikë do të duhet të përqendrohet në krijimin e vendeve të punës dhe transformimin ekonomik. Të gjashtë vendet do të përfitonin nga reformat në mjedis, biznes, qeverisje dhe dixhitalizimin, të cilat do të mbyllin hendekun me vendet e BE -së.”
Sipas Bankes Botërore, presionet inflacioniste kanë filluar të shtohen. Pavarësisht të ardhurave, defiçiti fiskal mbetet i lartë.
Qytetarët do të vijojnë të ndiejnë pasojat e pandemisë, si nga humbja e vendeve të punës ashtu dhe nga rënia e të ardhurave.