Afro 1.2 miliardë lekë kanë paguar qytetarët shqiptarë për sigurimin e jetës gjatë vitit 2020, kur edhe pandemia Covid-19 ishte në kulmin e saj.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, vlera më e lartë e primeve të shkruara bruto për sigurimin e jetës është regjistruar në Tiranë me rreth 1 miliard lekë, e ndjekur nga Durrësi dhe Shkodra, ndërsa më e ulta në Dibër me 495 mijë lekë.
Lexo edhe: Gjeografia e Sigurimeve 2020, sipas prefekturave
Banorët e Tiranës kanë paguar për të gjitha llojet e sigurimit, si jetë debitori, jeta në grup, jetë e kombinuar, jeta dhe shëndeti në udhëtim, plani i “pagesave cash” si dhe jeta me kursim, ku kjo e fundit zë një pjesë të konsiderueshme.
Sa i takon, numrit të kontratave të siguracioneve të jetës sipas prefekturave, totali regjistrohet në 89.689 përgjatë gjithë vitit që lamë pas ndërsa Tirana sërish zë vendin e parë me mbi 71 mijë kontrata jete dhe Dibra përsëri listohet në vendin e fundit me vetëm 73 kontrata.
Sa i përket kompanive të sigurimit, SIGAL UNIQA Group Austria është dominuese duke zënë 54.81% të tregut, e përkthyer në lekë mbi 577 milionë lekë. Thuajse 3-fishin e kompanisë që rënditet e dyta me 208 milionë lekë.
Edhe sa i takon dëmeve të paguara, SIGAL UNIQA Group Austria rënditet e para në Prefekturën e Tiranës me 123,863 milionë lekë, më shumë se dyfishin e kompanisë që rënditet e dyta me 50 milionë lekë.
TË DHËNAT PËR PREFEKTURËN TIRANË
Lexo edhe: Rreziku i dëmeve në timon/ Më i larti në Tiranë, më i ulëti në Berat