Shqipëria ka vetëm 180 metër rrugë për kilometër katror, duke u renditur si vendi me dendësinë më të ulët të rrjetit të transportit rrugor në Europë, sipas një krahasimi të Eurostat.
Bashkimi Europian numëron rreth 900 metër rrugë për kilometër katror, ndërsa në Rajon Mali i Zi renditet i pari për dendësinë e rrjetit rrugor me rreth 700 metër rrugë për kilometër katror të sipërfaqes.
Maqedonia renditet e dyta në Rajon me mbi 600 metër rrugë për kilometër katror, më tej Serbia me 550 metër rrugë për kilometër, Kosova me 240 metër rrugë për kilometër katror dhe në fund Shqipëria me vetëm 180 metër për kilometër.
Rrjeti rrugor i Shqipërisë, përfshirë rrugët interurbane kryesore, rrugët interurbane dytësore dhe ato urbane përbëhet prej rreth 18.600 km, nga të cilat rreth 1500 kilometër janë akse kombëtare.
Sipas një inspektimi të rrjetit kombëtar rrugor që u mbikëqyr nga Banka Botërore në vitin 2019 mbi 558 kilometra ose 41% e rrugëve kombëtare në vend janë në gjendje shumë të keqe.
Në kontroll u përfshinë 1 mijë e 347 kilometra rrugë kombëtare, prej të cilave rezultuan në gjendje të keqe 558 kilometra dhe 789 kilometra në gjendje të mirë në përputhje me standardet europiane, sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Rrugë jashtë standarteve do të thotë më shumë aksidente rrugore.
Sipas statistikave, Shqipëria ka një normë prej 14 aksidentesh për 100 mijë banorë, shifër kjo e vlerësuar ndër më të lartat në vendet e rajonit.
Në një raport të mëparshëm, Banka Botërore e rendiste Shqipërinë në vendin e tretë në Europë për normën më të lartë të vdekjeve në rrugë, 94 vdekje për 1 milion banorë.
Në Shqipëri ka çdo ditë mesatarisht mbi 50 aksidente automobilistike, ku më shumë se 10 prej tyre janë me persona të lënduar.
Vetëm në 11-mujorin e vitit 2021, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore ishte 176 persona. Vetëm në muajin Nëntor 2021, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore ishte 11 persona.
Të gjitha këto përkthehen në pagesa për kompanitë e sigurimit, ndërkohë që rrallë herë, për të mos thënë asnjëherë, nuk ndodh që shkaktari i vërtetë i aksidentit (enti shtetëror i rrugëve) të ketë rezultuar shkaktar i aksidentit dhe të ketë ketë paguar dëmin përkatës.
Shqipëria gjatë dy dekadave të fundit ka autorizuar investime të mëdha në infrastrukturën rrugore, por projektet shpesh kanë rezultuar me kosto jo fisibël dhe vendi nuk ka arritur të përmirësojë inventarin e rrjetit rrugor.
Lexo edhe: Aksidentet rrugore si bilanc lufte/ Shkaktarët, “njerëzit më me fat”