Besmir Qibini do të prezantohet sot si drejtues i Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës.
Erion Ahmeti, i cili mbante këtë detyrë mësohet se është emëruar specialist i Policisë Rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Pak muaj më parë, në një intervistë për gazetën “Panorama”, Qibini ka bërë një analizë të detajuar mbi të gjitha problematikat që shkaktohen nga aksidentet në rrugë, përfshirë edhe ato me pasoja fatale për jetën.
Në intervistë Qibini shprehej se parandalimi i aksidenteve nuk është vetëm detyrë e Policisë, por e disa institucioneve që duhet të bashkëpunojnë.
Sipas tij, ndërhyrja e eprorëve në mosndëshkimin e rasteve të veçanta e demotivon punonjësin e qarkullimit.
PRIORITETET
Duket se objektivi primar i Qibinit do të jetë rregullimi i trafikut.
Kaosi i ditëve të fundit që ka pushtuar rrugët e kryeqytetit, për shkak të disa faktorëve, ka qenë një stres më vete për drejtuesit e automjeteve e për jetojë zgjidhja e këtij problemi shihet si nevojë urgjente.
SJELLJA ME VARTESIT
Sipas Besmir Qibinit, në intervistën e dhënë për gazetën “Panorama”, në qershor të këtij viti, ndryshe nga sa perceptohet rëndom, detyra dhe kompetencat e punonjësit të policisë rrugore nuk kufizohen vetëm në konstatimin e kundërvajtësve të Kodit Rrugor, por përfshin edhe konstatimin e çdo shkeljeje tjetër administrative apo penale.
Kjo do të thotë që punonjësi i Policisë rrugore ushtron detyra shtesë dhe duhet të jetë vigjilent në konstatimin dhe ndëshkimin edhe të shkeljeve të ndryshme nga ato rrugore.
“Për këtë arsye mbështetja nga eprorët direkt e punonjësit të Policisë rrugore që konstaton një shkelje dhe merr masa, veçanërisht ndaj atyre individëve të njohur në publik si shkelës të ligjit apo si persona ‘të fortë’, e motivon atë jo vetëm të zbatojë ligjin me përgjegjshmëri, por edhe të japë mesazhin e duhur te të gjithë qytetarët dhe përdoruesit e rrugës.
Në të kundërt, ndërhyrja e eprorëve në mosndëshkimin e rasteve të veçanta, veçanërisht të këtyre shkelësve që në sytë e qytetarëve perceptohen si persona “me mbështetje”, e demotivon punonjësin e Policisë Rrugore, duke e bërë atë pasiv në kryerjen e detyrës jo vetëm në raste të ngjashme, por në përgjithësi. Aq më problematike është kjo kur punonjësi i policisë rrugore që konstaton dhe merr masa ndaj një shkelësi, në vend të vlerësohet, përballet me arrogancë të eprorëve, shkelësve dhe familjarëve të këtyre të fundit e në plot raste edhe pasoja në punë.
Nëse eprorët nuk do të ndërhyjnë tek punonjësit e policisë rrugore për t’u kërkuar atyre tolerimin e shkelësve dhe mos aplikimin e masave administrative, kam bindjen se efektiviteti i punonjësve të Policisë Rrugore do të ishte shumë më i lartë”, shprehej Qibini.
Besmir Qibini, e ka mbajtur këtë post edhe në periudhën 2014-2015.
Lexo edhe: Bilanc lufte/ 168 viktima në aksidente nga janari deri tani. Ku po gabojmë?!