-0.5 C
Tirana
Sunday, November 24, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetËshtë koha që Shqipëria të adoptojë euron si monedhë

Është koha që Shqipëria të adoptojë euron si monedhë

Nga Gunther Fehlinger*

Është koha që Shqipëria të adoptojë euron si monedhë, ashtu siç ka bërë Mali i Zi dhe Kosova në vitin 2002. Euro është mjeti i duhur për t’i treguar Bashkimit Europian se Shqipëria me të vërtetë dëshiron të anëtarësohet dhe se është e gatshme për këtë. Euro për Shqipërinë është gjithashtu një element kyç për paqen ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, pasi e bën më të besueshme ofertën e BE-së për Serbinë që ajo të adoptojë euron si monedhë, në këmbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe presioni ndaj Serbisë do të rritej nëse Shqipëria do ta miratonte euron. Për më tepër, është një lëvizje e mirë ekonomike të miratosh monedhën europiane për t’u integruar më shpejt në tregun e përbashkët të BE-së dhe gjithsesi është e detyrueshme që anëtarët e BE-së të përdorin Euron.

Procesi standard i zgjerimit të BE-së nuk po funksionon

Megjithëse është një anëtare e NATO-s, Shqipëria është bllokuar në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, për shkak të një vetoje bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, paragjykimeve ksenofobe ndaj anëtarësimit të një vendi me shumicë myslimane në BE dhe një lodhjeje të përgjithshme të Europës Perëndimore me idenë e zgjerimit, edhe pse Shqipëria nuk është aspak fajtore për mungesën e lidershipit në BE dhe mungesës së vullnetit për reforma në Bruksel. Por, Shqipëria ka nevojë për t’u anëtarësuar në BE për të nxitur zhvillimin e saj ekonomik, social dhe politik, brenda kuadrit rregullator të BE-së.

Pra, si mund të thyhen pengesat? Me fillimin e mandatit të tretë të Edi Ramës, dhe mbështetje të fortë ndërkombëtare dhe të brendshme, Shqipëria mund të tregojë se është gati për të përdorur euron dhe se nuk mund të presë më gjatë. Pra euro duhet adoptuar si valutë në Shqipëri. Mali i Zi dhe Kosova e kanë bërë këtë 20 vjet më parë që në mars 2002 dhe kanë qenë shumë të suksesshëm në përdorimin e euros. Prodhimi i Brendshëm bruto (PBB) i Shqipërisë është vetëm 15 miliardë dollarë, pra ajo nuk përbën ndonjë rrezik të madh për ekonominë e Eurozonës me një PBB prej 15 trilion dollarësh. Euro përdoret tashmë si çmim referencë për blerjet e pronave dhe në sektorin e turizmit. Shqipëria, si kandidate për në BE, është plotësisht e integruar në sistemin tregtar të BE-së dhe sektori bankar është plotësisht i dixhitalizuar dhe gati për përdorimin e euros. Miratimi i euros do të ishte mjeti më i mirë për t’i treguar BE-së ngurruese se Shqipëria dëshiron vërtet të anëtarësohet dhe për të frymëzuar shqiptarët që të besojnë në një të ardhme brenda BE-së, të qëndrojnë në Shqipëri dhe të ndalojnë prirjen e fortë të emigracionit.

Euro si mjet për paqen

Miratimi i monedhës së euros në Shqipëri në vitin 2022, mund të frymëzonte edhe Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë Hercegovinën që të përdornin gjithashtu euron si monedhë. Të dyja kanë një monedhë të lidhur me euron, kështu që teknikisht, kalimi duhej të ishte i lehtë. Dhe kjo do ta bënte më të besueshme ofertën e paqes të BE-së për Serbinë, që kjo e fundit të mund të adoptonte euron, si kusht për njohjen e Republikës së Kosovës. Euro për Serbinë është i vetmi mjet i dukshëm dhe i qartë për të zbutur reagimet e ashpra që do të ndodhnin nëse Serbia më në fund do të pranonte realitetin dhe do të njihte shtetësinë e Kosovës. Pra, Shqipëria mund të ndihmojë në njohjen e Kosovës nga Serbia. Nëse Serbia e refuzon një ofertë të tillë paqeje, atëherë partnerët europianë mund t’ia bëjnë asaj të qartë se kandidatura për në BE do të qëndrojë pezull, siç ka ndodhur me Turqinë. Statusi i Bosnjë Hercegovinës dhe Kosovës si anëtare në NATO dhe si kandidate në BE, do të izolonin Serbinë duke bërë që ajo të ndihej e vetmuar në Ballkan, jashtë NATO-s, BE-së dhe Eurozonës. Nëse duam të ndryshojmë gjendjen e status quo-së dhe të vendosim paqen, kjo është udha e duhur që duhet ndjekur.

Eurozona po zgjerohet – Shqipëria si pjesë e saj mund të ketë një ndikim pozitiv

Kroacia do t’i bashkohet Eurozonës në vitin 2023, Bullgaria në vitin 2024, Kosova dhe Mali i Zi e përdorin euron që nga viti 2002, Greqia dhe Sllovenia janë pjesë e Eurozonës, kështu që realiteti i Europës Juglindore është përdorimi i euros. Nëse Rumania mund të bindet gjithashtu të bashkohet në këtë mes dhe të përdorë euron, duke e përshpejtuar afatin e shtyrë për në vitin 2028, atëherë 3 shtetet që e refuzojnë Eurozonën, pra, Hungaria, Polonia dhe Republika Çeke, mund të ndihen të izoluar dhe të rishqyrtojnë qëndrimin e tyre. Kështu, adoptimi i euros në Shqipëri, do të ketë një ndikim pozitiv në këtë drejtim. Euro si monedhë e përbashkët për të gjithë Ballkanin është diçka e mundur dhe Shqipëria mund të udhëheqë në këtë nismë.

Euro si mjet për bashkimin e Europës

Nga plani Werner i vitit 1969, deri në atë të Mastrihtit në vitin 1992, integrimi i monedhës europiane ka qenë gjithmonë një rrugë e shkurtër pas bllokimit të bashkimit politik. Ky ishte kompromisi për bashkimin gjerman dhe europian dhe për miratimin e euros në Mastriht. Sigurisht, të gjithë janë kundër ndryshimit dhe parapëlqejnë status quo-në, por a janë sot të kënaqshme status quo-ja e BE-së dhe e gjendjes në Ballkan? Unë nuk mendoj kështu. Është koha për përparim.

Roli global i euros

Për këtë është folur shumë. Dhe është e vërtetë se Euro gëzon rolin si monedha e dytë globale, por nëse nuk e rekomandojmë monedhën tonë në zonën lindore dhe nëse e refuzojmë përdorimin e saj në rajonin e brishtë midis BE-së dhe Rusisë dhe Turqisë, sa seriozisht do të na marrin vende si Rusia, Kina dhe India, apo edhe aleatët tanë si SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar, në vitet 2020? Dhe a do ta marrë bota më seriozisht euron nëse atë e përdor me sukses e gjithë BE-ja dhe anëtarët e saj të ardhshëm? Nëse Shqipëria përdor euron si monedhë, kjo do të ndihmojë në miratimin e tij edhe në vende si Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia, Bosnjë Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Kështu, BE-ja dhe Euro do të jenë më të rëndësishme në skenën globale dhe kjo fillon me Shqipërinë.

Euro nuk është një alternativë ndaj anëtarësimit politik në BE

Të gjithë aleatët e NATO-s që përdorin Euron dhe i nënshtrohen rregullave të CFSP-së, duhet të bëhen pjesë e bashkimit politik të BE-së. Unë bëj thirrje që Mali i Zi të bëhet anëtar në BE në vitin 2024 dhe nëse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut miratojnë euron si monedhë, le t’i pranojmë në BE dhe t’i tregojmë botës se BE-ja pas Brexit do të jetë një bllok me 30 anëtarë. Euro duhet miratuar që tani si monedhë në Shqipëri, për të përshpejtuar pranimin e vendit në BE.

Dhe nëse Serbia e pranon euron dhe njeh Kosovën, rruga për anëtarësim në BE për Kosovën, Bosnjën dhe Serbinë, është e hapur. Ajo mund të bëhet e mundur që në vitin 2029 dhe kjo do të hapë më pas rrugën e anëtarësimit në BE për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.

Një konsensus i ri europian për Shqipërinë, nis me euron

Shqipëria ka nevojë për një konsensus të plotë europian për anëtarësim dhe euro mund të jetë mjeti për të bashkuar elitën politike shqiptare pas projektit europian dhe për të miratuar monedhën në Shqipëri. Në këtë mënyrë, Shqipëria mund të kapërcejë ndarjet e saj të brendshme dhe të përfshihet në zgjerimin europian, duke u bërë pjesë e BE-së. Kështu, Shqipëria mund të kontribuojë në BE për një të ardhme më të mirë dhe më të bashkuar. Shqipëri, miratoje Euron tani!

Le ta bashkojmë Europën me Euron!

*Mag. Gunther Fehlinger, 53, ekonomist austriak nga Vjena, punon që nga viti 2005 si këshilltar për reforma ekonomike dhe investimet në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Ukrainë. Ai promovon promovon zgjerimin e NATO-s, BE-së dhe Eurozonës dhe miratimin paraprak të Euros për të gjithë anëtarët e ardhshëm të BE-së. Opinionet janë personale të autorit dhe nuk përbëjnë qëndrim të Revistës.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat