Pandemia i dha një shtysë pozitive pagesave jo cash dhe u shoqërua me zgjerimin e infrastrukturës dhe shtimin e instrumenteve të pagesave.
Numri i kartave bankare, bankomateve dhe pikave elektronike të shitjes në përdorim nga sektori bankar u rrit ndjeshëm, ndërsa të dhënat e raportuara nga bankat tregtare pranë Shoqatës Shqiptare të Bankave japin edhe një informacion për ndarjen e tregut të instrumenteve të pagesave.
Në fund të vitit të kaluar, bankat raportuan afërsisht 1.2 milionë karta bankare aktive, në pjesën dërrmuese karta debiti të lidhura me llogaritë rrjedhëse të klientëve. Numri i kartave të pagesave u rrit me 4.8% krahasuar me një vit më parë. Tregu i kartave bankare ka një shkallë të konsiderueshme përqendrimi te katër bankat më të mëdha të sistemit, që zotërojnë së bashku 78% të numrit të përgjithshëm të tyre.
Mbështetur në të dhënat e Shoqatës së Bankave, aktori me pjesën më të madhe të tregut është banka më e madhe në vend, Banka Kombëtare Tregtare (BKT), me 29% të numrit total të kartave të lëshuara.
E ndjek në distancë të shkurtër Raiffeisen Bank, me 26% dhe më pas Credins Bank me 14% dhe Intesa Sanpaolo me 9% të tregut. Bankat e tjera kanë pjesë tregu më të vogël, duke filluar nga Tirana Bank me 6%, OTP Albania me 5% dhe Union Bank, Fibank e Alpha Bank me 3%.
Dominimi i bankave më të mëdha lidhet shumë me bazën më të gjerë të klientëve dhe sidomos me numrin më të madh të pagamarrësve.
Bankomatet ose ATM-të ngelen kanali kryesor i veprimeve me karta bankare, edhe për shkak të dominimit të parasë fizike në ekonominë shqiptare dhe në shprehitë e konsumatorëve. Në fund të vitit 2020, bankat raportonin në përdorim 736 pajisje ATM, në rritje vjetore me 4.5%.
Por, shpërndarja e ATM-ve ka një strukturë mjaft të ndryshme në raport me atë të kartave bankare dhe këtu tregu është shumë më i ekuilibruar. Numri më i madh i ATM-ve i takon Raiffeisen Bank, që zotëron rreth 24% të tregut, e ndjekur nga BKT me 14% të numrit të përgjithshëm të tyre. Banka e tretë renditet OTP Albania me 11% të numrit total, ndërsa me afërsisht 10% ndjekin Tirana Bank dhe Credins Bank. Vijonë Intesa Sanpaolo me 8%, Alpha Bank me 7% dhe Union Bank me 6% të numrit total.
Megjithëse paraja cash dhe veprimet e lidhura me të ngelen dominuese, vitin e kaluar pati një rritje të ndjeshme të pagesave direkte me karta në pikat elektronike të shitjes (POS). Statistikat tregojnë se në fund të vitit 2020 bankat kishin një infrastrukturë totale prej afërsisht 12,200 POS.
Sipas Bankës së Shqipërisë, numri i pagesave me kartë në Shqipëri arriti në më shumë se 5.8 milionë gjatë vitit 2020, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Pagesat në pikat elektronike të shitjes kanë shënuar një rritje domethënëse me 17% krahasuar me një vit më parë.
Ndryshe nga ATM-të, POS-et kanë një shkallë të lartë përqendrimi dhe vetëm shtatë banka tregtare nga 12 gjithsej e ofrojnë si produkt për bizneset.
Tregu i POS-eve dominohet dukshëm nga BKT, me 56% të numrit total, e ndjekur nga me diferencë të madhe nga Raiffeisen Bank dhe Credins Bank me 13%. Vijon Alpha Bank me 10% të tregut, e ndjekur nga Intesa Sanpaolo me 5% dhe Union Bank me 1%.